Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një aktgjykim duke shpallur të paligjshëm kufizimin kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore në skemat e pensioneve kontribut-paguese, duke shfuqizuar një dispozitë të Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve që vendoste afatin deri më 01.01.1991 për dëshmitë e kualifikimit. Vendimi erdhi pas aprovimit të kërkesëpadisë së paditësit Sh.S., ku Gjykata konstatoi se dispozita e kontestuar nuk ka bazë ligjore dhe tejkalon autorizimet e dhëna me ligj. Sipas arsyetimit, e drejta për pension nuk lidhet me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara ligjore. Supremja vlerësoi se kufizimi ishte arbitrar, joproporcional dhe përjashtues për një kategori të tërë pensionistësh që i plotësojnë kriteret bazë, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike. Me këtë aktgjykim, hiqet një pengesë që ka ndikuar në trajtimin e barabartë të përfituesve të pensioneve kontribut-paguese, duke krijuar një precedent të rëndësishëm për interpretimin e të drejtave pensionale dhe zbatimin e ligjit në mënyrë më të drejtë dhe jo diskriminuese.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
