Në Viti është mbajtur Akademi Përkujtimore në shënim të 25-vjetorit të rënies së dëshmorit të kombit, Njazi Azemi – Komandant Mjekrra. Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, organizata të dala nga lufta e UÇK-së, si dhe qytetarë të shumtë.
Në emër të institucioneve komunale, fjalë rasti mbajti zëvendëskryetari i komunës së Vitisë, Hasan Aliu, i cili theksoi se figura e Komandant Mjekrrës mbetet e gjallë në ndërgjegjen kolektive.
“Ka emra që nuk i mbulon koha, sepse janë të gdhendur në vetë themelin e lirisë. Njëri ndër ta është edhe emri i Njazi Azemit – Komandant Mjekrrës. Ai nuk i përket vetëm një periudhe të historisë, por një ndërgjegjeje kolektive që vazhdon të jetojë në secilin prej nesh. Sot nuk flasim vetëm për një njeri, por për një rrugë që u hap me sakrificë dhe u ndriçua me guxim. Një rrugë që nuk njeh kthim pas”, u shpreh Aliu.
Ai shtoi se figura e tij mbetet një kujtesë e përhershme se liria ishte rezultat i një zgjedhjeje të vetëdijshme për të qëndruar drejt edhe në kohët më të vështira, duke nënvizuar se brezat kanë nevojë për shembuj që nuk zbehen. Sipas tij, kujtimi për dëshmorët duhet të shndërrohet në angazhim konkret për ndërtimin e një shteti më të drejtë, më të fortë dhe më dinjitoz.
Në fjalën e tij, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi, theksoi se veprimtaria e dëshmorëve ka sjellë lirinë që gëzohet sot. Ai u shpreh se gjaku i dëshmorëve është themeli i kësaj lirie dhe se respekti për ta, për veteranët dhe familjet e tyre duhet të jetë i përhershëm, jo vetëm në përvjetorë, por në çdo ditë të jetës institucionale dhe shoqërore. Azizi shtoi se përkushtimi ndaj vlerave për të cilat ata luftuan mbetet detyrim i të gjithëve.

Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
