Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së drejt fundit – mbrojtja e Krasniqit rrëzon pretendimet e Prokurorisë

Procesi gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në gjykatën speciale në Hagë po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa afati për shpalljen e vendimit pritet të afrohet, me mundësinë që ai të publikohet deri më 19 maj, nëse nuk ka shtyrje nga trupi gjykues. Në këtë fazë, janë bërë publike edhe dosjet përfundimtare të mbrojtjes, ku avokati i Jakup Krasniqit paraqet një qëndrim të ashpër ndaj Prokurorisë, duke theksuar se ajo nuk ka arritur të ofrojë prova të mjaftueshme dhe bindëse për të mbështetur akuzat. Sipas mbrojtjes, pretendimi për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” brenda UÇK-së mbetet i pabazuar dhe i paprovuar gjatë gjithë procesit gjyqësor. Në dosje thuhet se nuk është dëshmuar asnjëherë ekzistenca e një qëllimi të përbashkët për kryerjen e krimeve apo për ushtrimin e kontrollit përmes dhunës ndaj kundërshtarëve. Po ashtu, mbrojtja thekson se asnjë dëshmitar nuk ka lidhur drejtpërdrejt Jakup Krasniqin me ndonjë vepër penale, duke e cilësuar të paqëndrueshme teorinë e Prokurorisë për përfshirjen e tij në keqtrajtime apo ndalime të paligjshme. Në argumentimin e saj, mbrojtja rikujton se UÇK-ja ishte formuar si forcë për mbrojtjen e popullsisë civile gjatë luftës në Kosovë dhe jo si strukturë me qëllime kriminale, duke kundërshtuar çdo përpjekje për ta paraqitur atë si organizatë me politika të tilla. Ky vendim pritet të ketë ndikim të madh jo vetëm për të akuzuarit, por edhe për narrativën historike dhe politike rreth rolit të UÇK-së në luftën e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj: Serbia avancon me SHBA-në, Kosova humb terren diplomatik nga qasja e Qeverisë Kurti

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka kritikuar ashpër politikën e jashtme të Qeverisë …