Pas katër mandatesh si deputet në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala ka njoftuar se nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme, duke e cilësuar këtë si një vendim të menduar thellë dhe në funksion të reformimit të brendshëm të partisë. Shala theksoi se ky hap nuk përfaqëson tërheqje nga politika apo nga përgjegjësitë ndaj PDK-së, por një angazhim ndryshe për të krijuar hapësirë për një brez të ri politikanësh me energji dhe ide të reja. “Ky vendim i shërben një qëllimi më të madh, krijimit të hapësirës për kuadro të rinj, me vizion dhe qasje reformuese për të ardhmen e partisë dhe të vendit”, ka theksuar ai. Shala vlerësoi rolin historik të PDK-së në proceset kyçe të Kosovës nga lufta për liri te shtetndërtimi duke nënvizuar se partia ka nevojë për një “frymëmarrje të re politike”, pa humbur identitetin dhe trashëgiminë e saj. Ai u shpreh kritik ndaj zhvillimeve të viteve të fundit në vend, duke përmendur sfidat politike dhe institucionale, por shtoi se mbetet optimist se kjo periudhë është kalimtare dhe se shoqëria kosovare do të dijë të bëjë dallimin mes politikës reale dhe asaj propagandistike. Megjithëse nuk do të kandidojë për deputet, Shala konfirmoi se do të vazhdojë angazhimin e tij brenda strukturave të PDK-së, në Kryesi dhe në Këshillin Drejtues, duke dhënë kontributin e tij në zhvillimin e mëtejmë të partisë. Në fund të deklaratës, ai falënderoi bashkëpunëtorët, votuesit dhe familjen për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se përkushtimi i tij ndaj interesit publik dhe shtetit do të mbetet i pandryshuar
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
