Edhe pa u hapur zyrtarisht fushata elektorale, skena politike në Kosovë tashmë është ndezur dhe si zakonisht, beteja e parë po zhvillohet për votën e diasporës. Me hapjen e regjistrimit për mërgatën, liderët politikë kanë nisur menjëherë adresimet publike, duke e kthyer diasporën në një terren kyç për mobilizim dhe përplasje narrativesh. Zgjedhjet e 7 qershorit, të cilat vijnë sërish si të parakohshme, po mbahen në një klimë të tensionuar politike, vetëm pak kohë pas nisjes së mandatit të Qeverisë Kurti III një mandat që nisi me mbi 51 për qind të votave, por përfundoi në bllokadë. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mesazhin e tij për diasporën, ka vazhduar linjën e njohur politike duke fajësuar opozitën për dërgimin e vendit në zgjedhje. Ai pretendon se qeveria e tij u pengua nga “refuzimet e njëpasnjëshme” dhe mungesa e vullnetit për të respektuar rezultatin zgjedhor, duke e paraqitur veten si palë që kërkoi zgjidhje deri në fund. Ish-presidentja Osmani u shfaq me një qasje krejt tjetër më emocionale dhe simbolike. Këto dy qasje tregojnë jo vetëm dallime stilistike, por edhe përplasjen e dy narrativave politike: njëra e fokusuar në justifikimin e krizës dhe tjetra në mobilizimin emocional.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
