Pas një periudhe të gjatë larg angazhimit aktiv politik dhe me prezencë kryesisht në debatet publike si analiste, Aida Dërguti ka vendosur t’i rikthehet skenës politike, duke e cilësuar zhvillimin e fundit politik në vend si shqetësues për demokracinë. Dërguti ka bërë të ditur se për gati nëntë vjet nuk kishte marrë pjesë në zgjedhje dhe kishte menduar se kapitulli i saj politik ishte mbyllur përfundimisht. Megjithatë, sipas saj, situata politike dhe retorika e përdorur nga pushteti aktual ndikuan drejtpërdrejt në vendimin për rikthim. Ajo ka deklaruar se fjalimi i kryeministrit në ditën e fundit të punimeve të Kuvendit ishte momenti që e bindi të kthehej në politikë, duke e konsideruar thirrjen për të mos votuar opozitën si sinjal shqetësues për standardet demokratike në vend. Sipas Dërgutit, deklarata të tilla përbëjnë presion politik dhe krijojnë klimë përjashtuese ndaj mendimit ndryshe, gjë që, sipas saj, cenon pluralizmin dhe funksionimin normal demokratik. Ish-zyrtarja politike theksoi gjithashtu se edhe gjatë kohës kur ishte jashtë institucioneve ka mbështetur politikisht krahun e luftës, duke votuar për PDK-në, ndërsa shtoi se kjo nuk bie ndesh me rolin e një analisteje politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
