Mbi 36 mijë aplikime nga diaspora për zgjedhjet e 7 qershorit, KQZ refuzon afro 3 mijë kërkesa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se interesimi i diasporës për regjistrim në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit vazhdon të jetë i lartë, me mbi 36 mijë kërkesa të pranuara vetëm disa ditë pas hapjes së aplikimit. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri më 10 maj në orën 10:00 janë pranuar gjithsej 36,154 aplikime për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës. Nga këto, 25,376 kërkesa janë aprovuar, 2,961 janë refuzuar, ndërsa 7,797 aplikime mbeten ende në proces shqyrtimi. Sipas vendimeve të institucionit zgjedhor, votimi fizik do të organizohet në 48 përfaqësi diplomatike, përkatësisht në 33 ambasada dhe 15 konsullata, me gjithsej 70 vendvotime. KQZ ka përcaktuar se numri maksimal i votuesve për votim fizik jashtë Kosovës do të jetë 66,450, ndërsa votimi me postë nuk do të ketë kufizim numerik. Institucioni zgjedhor ka vendosur gjithashtu kritere të reja për organizimin e votimit fizik në diasporë. Sipas rregullave të reja, një ambasadë ose konsullatë duhet të ketë së paku 50 votues të regjistruar për të organizuar votimin fizik. Në të kundërtën, votuesit do të transferohen automatikisht në procesin e votimit me postë. Votimi në përfaqësi diplomatike do të mbahet më 6 qershor 2026, një ditë para zgjedhjeve në Kosova, ndërsa votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor.

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Sejdiu: Situata e krijuar pas reciprocitetit të targave, thjeshtë është zbatim i një marrëveshjeje

Dardan Sejdiu: SHBA po i dërgon Kosovës paralajmërimin e fundit për energjinë dhe investimet strategjike

Analisti politik Dardan Sejdiu ka deklaruar se letra e publikuar së fundmi nga diplomatja amerikane …