Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi i ka ndarë çmimin – Artist i vitit 2026, skulptorit, Destan Gashi.
Në postimin e tij në facebook, kryetari Latifi ka shkruar:
“Destan Gashi përfaqëson artistin që punon me këmbëngulje për të realizuar idetë e tij artistike në përsosmëri. Kontributi i tij shumëvjeçar jashtë vendit e ka bërë të njohur atë në qarqet artistike evropiane e më gjerë, ndërsa tani dëshiron që artin e tij ta shpalosë para vendasve. Hapja e ekspozitës me skulptura në shtëpinë e tij në Zoçishtë sikur synon të pasqyrojë shpirtin e tij artistik në një formë tjetër, jo me shkëlqim, jo me pompozitet dhe jo me bujë të madhe. Pasja e një vlere të tillë i bën nder komunës dhe komunitetit artistik të Rahovecit. Prandaj, me kënaqësi ia ndamë Çmimin: Artist i vitit 2026, me motivacionin:
Për talentin, përkushtimin dhe shpirtin krijues, për punën e palodhshme, për rolin e madh në promovimin e vlerave artistike në arenën botërore dhe për afirmimin e vlerave kulturore shqiptare në botë, si dhe për vendosjen e urave të komunikimit të artit shqiptar me botën artistike jashtë vendit”, ka shkruar kryetari Latifi.