Vlora Çitaku: Albin, Kosovën nuk e gjete në bodrum, po demonizon luftën dhe UÇK-në

Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar atë dhe Lëvizjen Vetëvendosje për një fushatë denigruese ndaj figurave të luftës dhe historisë së pasluftës në Kosovë. Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës tha se obsesioni i pushtetit me Sami Lushtaku është i pashpjegueshëm dhe, sipas saj, tejkalon përplasjen normale politike. “Ti mund mos ta duash si politikan, por t’i thuash atij ‘Sami Serbia’ nuk është vetëm jo korrekte, por edhe jo njerëzore”, deklaroi Çitaku. Ajo kujtoi se Lushtaku është plagosur disa herë gjatë luftës, duke shtuar se po të kishte rënë dëshmor, sipas saj edhe vetë Kurti do të vendoste lule mbi varrin e tij. Çitaku akuzoi Kurtin për “demonizim të historisë së luftës”, ndërsa theksoi kontrastin mes sjelljes së Lushtakut dhe Kurtit ndaj institucioneve të drejtësisë. “Samiu shkoi në prokurori e dha deklaratë, ndërkohë Albin Kurti jo vetëm që nuk shkon, por e sfidon Prokurorinë e shtetit”, u shpreh ajo. Në fund, ajo hodhi poshtë pretendimet e Kurtit se e kishte gjetur Kosovën “në bodrum”, duke thënë se ai e mori drejtimin e një shteti të pavarur e sovran dhe se pas gjashtë vitesh qeverisje vazhdon me “ankesa e vajtime, pa rezultate konkrete”.

Kontrolloni gjithashtu

Murati

Valon Murati: Kosova po humb aleatët dhe po mbetet prapa, kriza politike po e thellon izolimin

Ish-ministri i Diasporës, Valon Murati, ka ngritur alarmin për pasojat që, sipas tij, po i …