Deficiti tregtar i Kosovës thellohet me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, Shqipëria mbetet partneri më i favorshëm

Kosova po vazhdon të përballet me një deficit të lartë tregtar me vendet e rajonit, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe ASK. Bilanci tregon varësi të theksuar nga importet, veçanërisht nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Gjatë vitit 2025, importet nga Serbia kanë shënuar rritje të fortë prej 80.9 për qind, duke e çuar deficitin tregtar në rreth 173.1 milionë euro. Edhe pse eksportet e Kosovës drejt këtij tregu janë rritur, ato mbeten dukshëm më të ulëta se importet, duke e thelluar varësinë tregtare. Situatë e ngjashme paraqitet edhe me Maqedoninë e Veriut, ku deficiti tregtar është rritur në 213.3 milionë euro, si pasojë e rritjes së importeve dhe rënies së eksporteve kosovare. Kjo ka sjellë ulje të ndjeshme të mbulueshmërisë së importeve nga eksportet. Në raport me Shqipërinë, megjithëse Kosova vazhdon të ketë deficit tregtar prej 126.8 milionë euro, situata paraqitet më e favorshme. Deficiti ka shënuar ulje krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa mbulueshmëria e importeve nga eksportet është përmirësuar në mbi 55 për qind. Sipas strukturës së tregtisë, Kosova eksporton kryesisht metale, ushqime dhe produkte minerale, ndërsa importet dominohen nga produkte ushqimore, minerale, kimike dhe industriale nga të gjitha vendet e rajonit. Në përgjithësi, të dhënat tregojnë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut mbeten tregjet me varësinë më të madhe të Kosovës nga importet, ndërsa Shqipëria konsiderohet partneri më i balancuar tregtar në rajon.

Kontrolloni gjithashtu

Ritchie Torres: Ministrja serbe përqafoi gjenocidin ndaj shqiptarëve, duhet të japë dorëheqje

Kongresisti amerikan Ritchie Torres ka dënuar ashpër deklaratat e ministres serbe Snežana Paunović lidhur me …