100 euro për votë? Kurti nën zjarr për “Pakon e Inflacionit” pak javë para zgjedhjeve

Derisa qytetarët po përballen me çmime gjithnjë e më të larta për ushqim, energji dhe jetesë, Qeveria në detyrë e kryeministrit Albin Kurti ka zgjedhur një tjetër “recetë” në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit: shpërndarjen e nga 100 eurove për pensionistë, studentë, fëmijë dhe punëtorë të sektorit privat. Vendimi, i prezantuar si pako “Inflacioni 2.0”, ka nxitur reagime të ashpra nga opozita, ekonomistët dhe komuniteti i biznesit, të cilët e kanë cilësuar si tentim për blerje vote me para publike. Kjo nuk është hera e parë që ekzekutivi ndan mbështetje financiare pak para proceseve zgjedhore. Vetëm katër ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit u shpërndanë 100 euro për studentët, ndërsa tri ditë para balotazhit të zgjedhjeve lokale ishin ndarë shtesat për grupin e parë të studentëve. Megjithëse Qeveria pretendon se pakoja e re kap vlerën e 200 milionë eurove, nuk është bërë publike kostoja e saktë e saj. Kritikat janë shtuar edhe për faktin se vetë ndarja e pakove konsiderohet pranim indirekt se qytetarët po goditen rëndë nga inflacioni dhe kriza ekonomike. Sipas të dhënave të fundit, inflacioni në Kosovë ka arritur në 7.5 për qind, ndërsa rritja më e madhe e çmimeve është shënuar te ushqimi, energjia, banimi dhe lëndët djegëse. Reagime të forta kanë ardhur edhe nga bizneset. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka vlerësuar se masat e njëhershme japin vetëm efekt afatshkurtër dhe nuk adresojnë problemet reale të ekonomisë, duke paralajmëruar se stimulimi i konsumit rrit importet dhe jo prodhimin vendor.

Kontrolloni gjithashtu

Harry Bajraktari i kërkon Marco Rubios rishqyrtimin e mbështetjes amerikane për Gjykatën Speciale

Aktivisti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Harry Bajraktari, ka bërë të ditur se …