Në përvjetorin e 27-të të rënies së dëshmorit të kombit, kolonel Rashit Mustafa, i njohur në luftë si “Komandant Karadaku”, janë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Fillimisht, sot në orët e paradites, janë bërë homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Viti, ku këtyre homazheve u ka prirë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga kryesuesi i Kuvendit Komunal të Vitisë, Bekim Azizi dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Homazhe në nderim të kolonel Rashit Mustafës kanë bërë udhëheqës të institucioneve komunale, përfaqësues të institucioneve të tjera, të Policisë së Kosovës, Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, subjekteve politike, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.
Përndryshe, kolonel Rashit Mustafa u lind në Lubishtë të Vitisë. Ai kishte përfunduar Akademinë Ushtarake në Kroaci dhe ishte pjesë e Gardës Kombëtare Kroate deri në përfundimin e luftës atje. Në qershor të vitit 1998 iu bashkua luftës çlirimtare në Kosovë, ku formoi Brigadën 172 “Skënderbeu”, të cilën e komandoi deri në rënien e tij heroike në vitin 1999.