Aleksander Vuçiq

Vuçiq: Dua marrëdhënie më të mira me Kosovën, por jo njohje të pavarësisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përsëritur se nuk është i gatshëm ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se një veprim i tillë, sipas tij, do të nënkuptonte shkelje të Kushtetutës së Serbisë. Në një intervistë për median amerikane Fox News, Vuçiq u pyet drejtpërdrejt nëse Serbia është e gatshme ta njohë Kosovën. Në përgjigjen e tij, ai u shpreh se mbetet i hapur për dialog, kompromis dhe përmirësim të marrëdhënieve, por jo për njohje formale të shtetësisë së Kosovës. “Nuk po them se jam gati të shkel kushtetutën time. Gjithmonë kam qenë i hapur për bisedime ose zgjidhje kompromisi, gjithmonë kam qenë i hapur për zhvillimin e lidhjeve të shkëlqyera ekonomike dhe pa dyshim lidhjeve shumë më të mira politike. Por nuk po flisja për njohjen e pavarësisë së dikujt”, deklaroi Vuçiq. Megjithëse Vuçiq ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim ekonomik dhe përmirësim të raporteve politike, qëndrimi i tij konfirmon se Beogradi zyrtar vazhdon të mos e konsiderojë njohjen e Kosovës si pjesë të zgjidhjes aktuale. Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë theksuar vazhdimisht se dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, si garanci për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet afatgjatë në rajon. Intervista e Vuçiqit në një nga mediat më të mëdha amerikane pritet të ngjallë reagime të reja politike, duke rikthyer në vëmendje dallimet e thella që vazhdojnë të ekzistojnë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sa i përket epilogut përfundimtar të procesit të dialogut.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kërkon nga qeveria e ardhshme që “pika e parë” të jetë gazi amerikan dhe termocentrali i ri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Daut Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e …