Përparim Gruda: Refuzimi i gazit amerikan rrezikon çdo bashkëpunim me Vetëvendosjen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij nuk përjashton asnjë subjekt politik nga mundësia e arritjes së marrëveshjeve politike, por ka theksuar se qëndrimi ndaj projektit të gazit amerikan mbetet një çështje vendimtare për çdo bashkëpunim të mundshëm qeverisës. Gruda tha se PDK nuk ka vendosur vija të kuqe ndaj asnjë partie politike, megjithatë dallimet me Lëvizjen Vetëvendosje vazhdojnë të jenë të thella në disa tema që, sipas tij, prekin interesat strategjike të Kosovës. “Nëse bëhet fjalë për një qeveri që e refuzon gazin amerikan, që ka ende tendenca të tilla për ta mbajtur Kosovën të varfër, unë mendoj që është një koalicion i pamundur, por nuk e përjashtoj si negocim”, ka deklaruar Gruda. Sipas tij, refuzimi i projektit të gazit amerikan nuk duhet parë vetëm si një debat ekonomik apo energjetik, por si një çështje që lidhet drejtpërdrejt me orientimin gjeopolitik dhe partneritetin strategjik të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gruda ka argumentuar se investimet amerikane në sektorin energjetik do të ndikonin në zhvillimin ekonomik të vendit, diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike.

Kontrolloni gjithashtu

Haradinaj kërkon nga qeveria e ardhshme që “pika e parë” të jetë gazi amerikan dhe termocentrali i ri

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës , Daut Haradinaj ka deklaruar se kushdo që e …