OVLUÇK: Askush nuk ka mandat të flasë në emër të veteranëve të luftës

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka reaguar pas shfaqjes së flamujve dhe simboleve të UÇK-së në një protestë të mbajtur në Shqipëri, duke u distancuar nga individët që pretenduan se përfaqësojnë veteranët e luftës. Gucati theksoi se OVLUÇK-ja nuk ka dhënë asnjë autorizim që dikush të flasë apo të veprojë në emër të organizatës në aktivitete me karakter politik. “Stema e UÇK-së nuk duhet të përdoret për qëllime politike. Ky pretendim është i rremë. Nuk kemi dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emrin tonë”, deklaroi ai. Sipas Gucatit, simbolika e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqëson sakrificën dhe luftën për liri të mijëra luftëtarëve dhe dëshmorëve, prandaj përdorimi i saj në funksion të agjendave politike ditore është i papranueshëm. “Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simbol i një lufte të drejtë çlirimtare dhe nuk mund të huazohet për agjenda ditore të askujt”, u shpreh kryetari i OVLUÇK-së. Me këtë qëndrim, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka bërë të qartë se ruajtja e dinjitetit të simboleve të luftës çlirimtare dhe shmangia e instrumentalizimit të tyre për interesa politike mbeten përgjegjësi e përbashkët e shoqërisë. OVLUÇK ka ritheksuar se trashëgimia e UÇK-së duhet të trajtohet me respekt dhe të mos përdoret për të legjitimuar qëndrime apo iniciativa që nuk kanë lidhje me misionin historik të saj.

Kontrolloni gjithashtu

Rritje e ndjeshme e pasagjerëve në aeroportin e Tiranës

Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Tiranë po vazhdon me rritjen e madhe të numrit të …