FSK dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë forcojnë bashkëpunimin në logjistikë dhe emergjenca civile

Një delegacion i Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i udhëhequr nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës, kolonel Valdet Berisha, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH) dhe në strukturat e saj vartëse.

Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, delegacioni kosovar u prit nga komandanti i Komandës Mbështetëse, gjeneral brigade Aleksandër Pando, së bashku me stafin e tij, ku u mbajtën takime profesionale të përqendruara në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe menaxhimit të emergjencave civile.

Gjatë vizitës, përfaqësuesit e FSK-së u njohën nga afër me misionin, organizimin dhe kapacitetet operative të Komandës Mbështetëse, si dhe me infrastrukturën logjistike dhe kapacitetet për reagim në raste emergjente.

Delegacioni mori informacione të detajuara lidhur me pajisjet, procedurat dhe mënyrën e organizimit që përdoret në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe në menaxhimin e situatave emergjente.

Takimet u karakterizuan nga shkëmbimi i përvojave profesionale dhe diskutimet për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në logjistikë, emergjenca civile, trajnimet dhe ngritjen e kapaciteteve operacionale.

Sipas njoftimit, vizita u zhvillua në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

 

Kontrolloni gjithashtu

Prokuroria dhe ARKEP-i zotohen për thellimin e bashkëpunimit institucional

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka zhvilluar një takim me kryetarin …