Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka ritheksuar rëndësinë e Kosovës si partnere të Aleancës, duke nënvizuar se stabiliteti dhe siguria në vend mbeten ndër prioritetet kryesore të NATO-s.
Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me perspektivën e Kosovës drejt NATO-s dhe mbështetjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Rutte tha se procesi ndikohet nga fakti që disa shtete anëtare ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Sikurse dihet, Kosova është një partner i rëndësishëm. Megjithatë, mosnjohja nga disa vende anëtare krijon sfida në këtë drejtim. Aktualisht, fokusi ynë kryesor është të sigurojmë që KFOR-i të vazhdojë të jetë një forcë e fuqishme dhe efektive në terren”, deklaroi ai.
Sipas Ruttes, vlerësimet e NATO-s tregojnë se situata e sigurisë në Kosovë ka shënuar përmirësime të dukshme gjatë viteve të fundit, gjë që ka ndikuar edhe në vendimet për praninë ushtarake të misionit paqeruajtës.
Ai bëri të ditur se KFOR-i do të rikthehet gradualisht në nivelet e personelit që kishte para vitit 2023. Aktualisht, misioni numëron rreth 4.700 trupa, ndërsa në të ardhmen prania e tij pritet të mbetet e konsiderueshme, me rreth 3.000 deri në 3.500 ushtarë, në varësi të zhvillimeve të sigurisë dhe mandatit ekzistues.
Rutte theksoi se NATO do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën në Kosovë, duke ruajtur angazhimin për paqe, stabilitet dhe siguri në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
