Veprimtari shqiptar në Zvicër, Sali Bislimi, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Demokracia në Evropë dhe e ardhmja e Ukrainës”, të organizuar nga Fondacioni Jean Monnet në Universitetin e Lozanës, ku janë diskutuar zhvillimet e sigurisë dhe sfidat me të cilat përballet kontinenti evropian. Në këtë takim morën pjesë personalitete të njohura të politikës dhe diplomacisë. Një nga mesazhet kryesore të konferencës ishte se informacioni dhe dezinformimi janë shndërruar në armët më të fuqishme të luftës moderne. Bislimi tha se ambasadorja ukrainase theksoi se demokracia nuk u mbrojt në kohën e duhur dhe se sot ajo kërkon edhe mbrojtje ushtarake, duke nënvizuar se lufta në Ukrainë ka shkaktuar zhvendosjen e miliona qytetarëve. Gjatë diskutimeve, ai ngriti edhe çështjen e Kosovës dhe proceset e saj integruese, duke theksuar se nga bashkëbiseduesit mori mesazhin se fokusi aktual i shumë vendeve evropiane mbetet Ukraina, ndërsa shmangia e tensioneve me Serbinë shihet si pjesë e strategjisë së mbështetjes ndaj Kievit. Bislimi kritikoi qasjen ndërkombëtare ndaj Beogradit, duke vlerësuar se Kosova po përballet me një deficit politik dhe diplomatik, ndërsa shprehu bindjen se proceset integruese të vendit nuk duhet të pengohen nga, siç u shpreh ai, kërkesat dhe presionet e një pjese të komunitetit serb. Ai shtoi gjithashtu se çështja e ish-presidentit Hashim Thaçi vazhdon të ngjallë interes në qarqet ndërkombëtare, duke e cilësuar procesin ndaj tij si një padrejtësi historike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
