ATK: Të hyrat tatimore u rritën 14 për qind në gjashtëmujorin e parë

Të hyrat tatimore në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 janë rritur për 14 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni në një konferencë për media.

“Nëse bëjmë krahasimin ndër vite, në vitin 2024 ne kishim një rritje prej 12%. Ndërsa 2025-ën, 11% që është 1% më pak. Mirëpo në 2026, në këtë gjashtëmujor kemi një rritje prej 14%, që e tejkalon edhe këto dy vitet paraprake. Normalisht, rritjet e të hyrave në administratat tatimore do të duheshin të ndjekshin zhvillimin ekonomik të vendit, që është diku rreth 4%. Megjithatë, kur ka evazion fiskal, ka mundësi që në dy-tre vite të hyrat tatimore të jenë pak më të mëdha se rritja e zhvillimit ekonomik. Megjithatë, në pesë vitet e kaluara, kemi pasur mesatarisht diku 12%”, ka thënë Hyseni.

Sipas tij, rritja më e madhe është shënuar te tatimi në të ardhurat personale, i ndikuar nga shtimi i numrit të të punësuarve dhe rritja e pagës minimale, ndërsa të hyrat nga TVSH-ja kanë shënuar ritëm më të ulët të rritjes krahasuar me vitin e kaluar. Duke folur për borxhet, Hyseni ka thënë se inkasimi i tyre vazhdon të mbetet sfidë.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka bërë një lloj strategjie për koncentrimin e mbledhjes së borxheve në qendër të Prishtinës, mirëpo ne e kemi parë që nuk na ka funksionuar. E kemi marrë iniciativën me ndryshua, kemi pasur diskutime të gjata e të thella me ta. Mirëpo esenca është që i kemi bindur, mandej që edhe faktet po na tregojnë që kemi pasur të drejtë në atë reformë. Të gjithë mbledhjen e borxheve e kemi decentralizuar edhe i kemi çuar nëpër dhjetë regjione”, tha ai.

Hyseni bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe ATK-ja ka realizuar rreth 16 mijë vizita në terren, ose afro 37 për qind më shumë se një vit më parë, ndërsa ka vazhduar edhe aksionet e përbashkëta me Doganën, Policinë dhe Prokurorinë për luftimin e evazionit fiskal, përfshirë operacionin e fundit në sektorin e derivateve.

Ai tha gjithashtu se është rritur numri i denoncimeve nga qytetarët, ndërsa ATK-ja ka identifikuar dhe shpërndarë rreth 5 milionë euro nga fondi i kontributeve pensionale të paidentifikuara.

Kontrolloni gjithashtu

Kurti: Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, për presidentin duhet konsensus i të gjitha partive

Kurti: Për qeverisjen përgjegjësia bie mbi ne, për presidentin duhet konsensus i të gjitha partive

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar konstruktiv takimin me kryetarin e PDK-së, …