Dy oficerë të FSK-së diplomojnë në Mbretërinë e Bashkuar

Dy oficerë të Forca e Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC) në Akademinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham.

Lajmi u bë i ditur nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili përmes një postimi ne Facebook, theksoi rëndësinë e këtij programi për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të ushtrisë.

Sipas tij, majorët Afrim Xhelili dhe Besnik Thaqi, përveç përfundimit të këtij programi prestigjioz, kanë fituar edhe titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College London.

Maqedonci nënvizoi se investimi në zhvillimin profesional të kuadrit ushtarak mbetet prioritet strategjik për ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me aleatët ndërkombëtarë.

Ai shtoi se programi përgatit oficerët për udhëheqje në nivel operacional dhe strategjik, planifikim të operacioneve komplekse dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja e oficerëve të FSK-së përkrah 240 pjesëmarrësve nga Mbretëria e Bashkuar dhe 47 shtete të tjera, sipas tij, dëshmon nivelin e lartë profesional që po arrin FSK-ja.

Në fund, Maqedonci uroi major Xhelilin dhe major Thaqin për këtë arritje, duke e cilësuar si një kontribut të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të FSK-së dhe avancimin e mbrojtjes së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Rama në Bruksel, Shqipëria drejt mbylljes së tre kapitujve të parë me BE-në

Shqipëria pritet të mbyllë sot tre kapitujt e parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin …