Kamberi reagon ndaj deklaratës së ministres serbe: Kërkon shkarkimin e saj

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të bërë nga ministrja për Pushtetin Lokal, Snezhana Paunoviç, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe skandaloze.

Përmes një postimi në Facebook, Kamberi ka theksuar se deklaratat e tilla tregojnë vazhdimësinë e një mendësie të rrezikshme politike në Serbi.

“Deklarata e Ministres për Pushtetin Lokal, Snezhana Paunoviç, se po të ishte në vend të Slobodan Milosheviçit do ta spastronte etnikisht Kosovën, është skandaloze, e papranueshme dhe kërkon reagim të menjëhershëm institucional”, ka shkruar Kamberi.

Ai ka bërë të ditur se për këtë çështje u është drejtuar me një shkresë zyrtare ambasadave ndërkombëtare në Beograd, duke kërkuar reagim ndaj deklaratës së ministres.

Sipas tij, një deklaratë e tillë nuk është e izoluar, por pasojë e, siç e quan ai, mohimit sistematik të krimeve të luftës dhe revizionizmit historik.

Kamberi ka ngritur shqetësimin edhe për sigurinë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se deklarata të tilla nga zyrtarë shtetërorë rrisin ndjenjën e pasigurisë te komunitetet pakicë.

“Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione”, ka theksuar ai.

Në fund, deputeti shqiptar ka paralajmëruar se do të iniciojë kërkesë për shkarkimin e ministres në Parlamentin e Serbisë, duke shtuar se çdo mungesë reagimi do të interpretohet si miratim i deklaratës nga ana e Qeverisë.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxhaj: Kosova duhet të reflektojë për rrugën e saj drejt BE-së

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar …