Gjini takon drejtoreshën e NDI-së, thekson nevojën për formimin e institucioneve

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se ka pritur në takim drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, ambasadoren Nancy Soderberg, me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin dhe zhvillimet aktuale politike në vend.

Gjini, përmes një postimi në Facebook, tha se gjatë takimit është biseduar edhe për nevojën e formimit sa më të shpejtë të institucioneve qendrore.

“Sot patëm kënaqësinë ta presim në zyrat e Aleancës drejtoreshën e Institutit Kombëtar Demokratik (NDI) në Kosovë, ambasadoren znj. Nancy Soderberg. Gjatë takimit biseduam për bashkëpunimin dypalësh dhe për zhvillimet aktuale politike në vend”, ka shkruar Gjini.

Ai theksoi se Aleanca mbetet e gatshme të kontribuojë në tejkalimin e bllokadës institucionale.

“Shprehëm gatishmërinë e Aleancës për të kontribuar në formimin sa më të shpejtë të institucioneve qendrore përmes ofertës tonë gjashtëpikëshe, e cila i garanton Kosovës zhvillim, stabilitet dhe siguri kombëtare”, ka shtuar ai.

Gjini vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me NDI-në, duke e falënderuar ambasadoren Soderberg për mbështetjen e vazhdueshme ndaj proceseve demokratike në Kosovë.

“Me NDI-në na lidh një traditë e gjatë bashkëpunimi, veçanërisht në programet për fuqizimin e grave dhe të rinjve në politikë. Me këtë rast, e falënderova znj. Soderberg për mbështetjen e vazhdueshme të NDI-së ndaj proceseve demokratike në Kosovë, me bindjen se ky partneritet do të fuqizohet edhe më tej”, ka shkruar Gjini.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Halil Thaçi intervistohet nga Prokuroria për rastin e shpronësimeve në Shipitullë

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, është intervistuar në Prokurorinë Speciale, në cilësinë e …