Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka reaguar në prag të vendimit që pritet të marrë Gjykata Speciale në Hagë, duke e cilësuar atë si një proces politik me pasoja për Kosovën. Gucati tha se Gjykata Speciale, e cila sipas tij prej gati gjashtë vjetësh u ka shërbyer interesave të Serbisë, po vendos për luftën e UÇK-së, ndërhyrjen e NATO-s dhe shtetësinë e Kosovës. Ai theksoi se në Hagë po gjykohen, sipas tij, organizatorët e rezistencës së armatosur, nënshkruesit e Marrëveshjes së Rambujesë dhe drejtuesit që kontribuuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Gucati e cilësoi Gjykatën Speciale si institucion politik dhe u shpreh se edhe vendimi i saj do të ketë karakter politik, duke kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të jetë e vetëdijshme për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë ky vendim. Ai bëri të ditur se më 16 shtator veteranët e UÇK-së, së bashku me qytetarë nga e gjithë Kosova, do ta presin të bashkuar vendimin e Gjykatës Speciale, si në Hagë ashtu edhe në qytete të ndryshme të vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
