Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka vlerësuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pësuar dëmtime serioze, duke akuzuar Qeverinë për mungesë të një qasjeje të përgjegjshme ndaj aleatit kryesor strategjik të vendit. Zeka tha se dialogu strategjik me SHBA-në nuk mund të rikthehet brenda natës, sidomos pasi, sipas tij, ai është pezulluar dhe tani rrezikon të kushtëzohet nga zhvillime të reja politike e diplomatike. Ai theksoi se Kosova nuk i ka përshtatur politikat e saj me ndryshimet në skenën ndërkombëtare dhe me evolucionin e politikës amerikane, duke paralajmëruar se kjo mungesë vizioni mund të ketë pasoja të rënda në marrëdhëniet me Uashingtonin. Zeka kritikoi ashpër mënyrën se si, sipas tij, është trajtuar diplomacia nga ekzekutivi, duke thënë se marrëdhëniet me SHBA-në nuk ndërtohen me deklarata publike apo konferenca për media, por me komunikim të vazhdueshëm institucional, seriozitet dhe koordinim të ngushtë. Sipas tij, veprimet e njëanshme dhe mungesa e konsultimeve me partnerin strategjik amerikan kanë kontribuar që Kosova të gjendet në një situatë të ndërlikuar, duke rrezikuar jo vetëm bashkëpunimin diplomatik, por edhe interesat në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
