Ka miqësi që lindin sot, por ka edhe miqësi që historia i ka ruajtur në shekuj! 



Sot, në Vakarici të Arbërisë (Vaccarizzo Albanese) në Kalabri të Italisë, e hodhëm një hap të rëndësishëm për ta kthyer një lidhje të lashtë historike në një miqësi të re institucionale. Pata nderin të nënshkruaj Deklaratën e Miqësisë ndërmjet Komunës së Rahovecit dhe Komunës së Vakaricit, i shoqëruar nga kabineti im, zyrtarë komunalë dhe artistë të komunës sonë, e në mbrëmje mora pjesë në Festivalin e Kostumeve të Kulturës Arbëreshe, një manifestim që e pasqyron historinë, kulturën dhe identitetin e arbëreshëve, të ruajtur ndër breza.
Arbëreshët janë dëshmia më e fortë se një popull mund ta ruajë identitetin e tij edhe larg vendlindjes. Për rreth 600 vjet, ata kanë ruajtur gjuhën, mbishkrimet, traditat, zakonet dhe kulturën shqiptare, duke ua përcjellë brezave atë që të parët e tyre morën me vete nga trojet arbërore.
Kjo dashuri e thellë për gjuhën dhe për identitetin arbëror që e ruajnë me fanatizëm, i ka rrënjët te heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, emri i të cilit vazhdon të jetojë në zemrat e arbëreshëve dhe të shqiptarëve kudo që janë.
Kjo trashëgimi është një urë që na lidh sot dhe një përgjegjësi për ta forcuar këtë lidhje për brezat që vijnë.
Përmes kësaj deklarate synojmë të ndërtojmë bashkëpunime konkrete në kulturë, në arsim, në rini, në turizëm dhe në ekonomi, duke krijuar mundësi të reja për shkëmbim dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve tona.
Synimi ynë është që kjo miqësi të kurorëzohet me binjakëzimin e Komunës së Rahovecit me Komunën e Vakaricit, duke e kthyer lidhjen historike në një partneritet të qëndrueshëm institucional.
Nga Rahoveci në Vakarici, nga Kosova në Arbëri, historia na ka mbajtur të lidhur e tani është koha që ne ta forcojmë këtë lidhje.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
