Jeta na sjell shumë takime. Disa zgjasin vetëm pak çaste dhe më pas humbin në rrjedhën e kohës,
ndërsa disa të tjera lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut. Ka njerëz që i takojmë për një
moment, por fjalët, veprat dhe qëndrimi i tyre mbeten me ne për gjithë jetën. Një takim i tillë
ndodhi gjatë luftës çlirimtare dhe, edhe sot, pas shumë vitesh, e kujtoj me të njëjtin emocion, sikur
të kishte ndodhur dje.
Ishte një periudhë e vështirë e luftës. Njësitë tona ishin të angazhuara në organizime dhe përgatitje
të vazhdueshme luftarake. Ditët kalonin mes përgjegjësive, lëvizjeve në terren përgjatë vijës
kufitare Shqipëri–Kosovë, në vendet Vlanë, Cahan e Krum, si dhe përpjekjeve të vazhdueshme
për ta mbajtur të lartë moralin e luftëtarëve gjatë lëvizjeve dhe pritave të shumta.
Lufta kishte lënë gjurmë kudo. Shkatërrimet, përplasjet dhe rëniet në vijat e frontit kishin
ndryshuar gjithçka. Shumë shtëpi ishin dëmtuar, oborret ishin boshatisur dhe në fytyrat e njerëzve
lexohej lodhja e një kohe të rëndë, nën kërcënimin e vazhdueshëm të luftës. Megjithatë, pavarësisht
vuajtjeve, në sytë e tyre ende shkëlqente shpresa.
Në ato ditë, bashkë me vëllain tim, Rexhepin, dhe disa bashkëluftëtarë, ndodheshim në Shqipëri,
ku po prisnim të takonim babain tim, Samiun. Kishin kaluar shumë vite që nuk e kishim parë e
përqafuar. Ai po vinte së bashku me kushëririn tonë, Salihun. Në atë kohë ende funksiononte linja
e autobusëve Kosovë–Maqedoni–Shqipëri. Autobusin e drejtonte Sabit Halit Berisha, nga familja
Berisha e Drenicës, i cili jetonte në Ferizaj dhe kishte xhaxha heroin Rifat Berisha. Ai e kishte
sjellë babain deri aty dhe do ta kthente përsëri.
Teksa po prisnim, vura re një burrë të moshuar që po afrohej ngadalë drejt nesh, me plis në kokë.
Ecja e tij ishte e rënduar nga vitet, por shikimi i tij ishte i kthjellët dhe plot dinjitet. Në fytyrën e
rrudhur dukej sikur ishte shkruar historia e një jete të tërë vuajtjesh, sakrificash dhe përpjekjesh.
Ishte babai.
Kur u afrua pranë nesh, u përqafuam. Lotët na rrodhën nga malli. Kishte kaluar shumë kohë pa e
ndier aromën e njëri-tjetrit, pa e dëgjuar zërin e afërt të familjes. Për vite me radhë kishim
komunikuar vetëm përmes telefonatave mujore dhe fotografive që shikonim për ta lehtësuar
sadopak mallin dhe dhimbjen e largësisë.
Pas disa fjalëve të para, babai na tha të vazhdonim rrugën drejt një vendi ku mund të pushonim
dhe të bisedonim më lirshëm. Kishim vite pa u parë dhe kishim shumëçka për të ndarë.
U ulëm bashkë dhe filluam të bisedonim. Ai na tregonte për familjen, lagjen, fshatin dhe gjithçka
që kishte mbetur në kujtesën e tij. Na tregonte për periudhat e vështira që kishte kaluar familja dhe
populli ynë ndër dekada, për padrejtësitë, shtypjen dhe vuajtjet që kishin lënë gjurmë të thella.
Megjithatë, në asnjë moment nuk dëgjova prej tij fjalë urrejtjeje apo dëshpërimi. Përkundrazi, fliste
me një qetësi dhe mençuri që të bënte të ndaloje e të mendoje.
Pas pak heshti për disa çaste dhe na shikoi një nga një.
Pastaj tha:
“Bijtë e mi, lufta nuk fitohet vetëm me armë. Lufta fitohet kur njeriu ruan nderin, besimin dhe
dashurinë për popullin e vet. Edhe unë kam luftuar për Shqipërinë etnike, por asnjëherë nuk arrita
ta shijoja lirinë. Armët mund të fitojnë një betejë, por zemra e fiton lirinë.”
Këto fjalë na prekën thellë.
Gjatë kohës që qëndroi në Shqipëri, babai këmbënguli të takonte edhe bashkëluftëtarët tanë dhe
komandantin. Ne i thamë se koha ishte e shkurtër dhe se duhej të kthehej te familja, sepse edhe
atje kishin nevojë për të.
Por ai na tha:
“Unë nuk do të kthehem pa e takuar Komandantin. Shtëpinë e kam lënë të mbushur me djem e
vajza që janë të gatshëm të vdesin për lirinë. Të gjithë janë të përgatitur, me armë e me barut. Edhe
shokët tuaj atje janë duke kryer detyrën. Mos e mbani mendjen te shtëpia. Çdo shtëpi ka nga një
pushkë. Të gjithë mund të vdesin, por asnjëherë nuk duhet të poshtërohen.”
Pas këtyre fjalëve, unë dhe vëllai im, Rexhepi, vendosëm që ta realizonim dëshirën e tij. E njoftuam
Komandantin, i cili me kënaqësi pranoi të takohej me të.
Morëm automjetin që kishim në shërbim të UÇK-së dhe u nisëm drejt Krumit. Atje u takuam me
Komandant Plakun, Xheladin Gashin.
Takimi i tyre ishte i veçantë. U përqafuan sikur të njiheshin prej vitesh, edhe pse nuk ishin takuar
më parë. Ne vërejtëm menjëherë diçka të veçantë tek të dy: ishin burra të moshës së pjekur, nga
profesione dhe përvoja të ndryshme, por të bashkuar nga një kuptim i thellë i vlerës së lirisë.
Filluan të bisedonin për luftën, kohën, të kaluarën dhe familjet e tyre.
Babai i tregoi Komandant Plakut për babanë e vet, Rexhep Qosën, i cili kishte qenë ushtar i Shaban
Polluzhës. Pas shpërbërjes së aradheve të Polluzhës, ai kishte shkuar në Shqipëri, ku kishte
qëndruar për rreth dy vjet e gjysmë. Pas kthimit, për shkak të maltretimeve dhe ndjekjeve, ishte
detyruar të largohej përsëri nga Kosova dhe kishte jetuar rreth tri vjet në Maqedoni.
Kur u kthye sërish në Kosovë, ishte detyruar të ruante bagëtinë në fshat, madje edhe i maskuar, që
të mos zbulohej identiteti i tij si Rexhep Qosa. Por spiunazha e zbuloi. Serbët erdhën, e arrestuan
dhe e maltretuan për disa ditë në një objekt në afërsi të vendit ku jetonim. Pas lirimit, nuk kaloi
shumë kohë dhe ai ndërroi jetë në moshën vetëm 51-vjeçare, pas gjithë atyre torturave dhe
vuajtjeve që kishte përjetuar gjatë jetës.
Pastaj babai foli për ne, për shtatë djemtë dhe tri vajzat e tij. U tha se të gjithë ishim të gatshëm
për të marrë pushkën dhe për t’i shërbyer Kosovës.
“Dy prej tyre i ke këtu”, i tha ai Komandant Plakut. “Këta kanë kaluar një kohë të vështirë. Policia
i ka ndjekur dhe maltretuar për shkak të pjesëmarrjes në protesta. Kanë ndihmuar edhe nxënësit e
helmuar nëpër shkolla nga veprimet e Serbisë. Që nga ajo kohë nuk janë ndalur së punuari në
shërbim të Kosovës.”
Babai tregoi edhe për maltretimet që kishim përjetuar në Viti e Ferizaj, për ndjekjet e vazhdueshme
nga policia dhe për vuajtjet që kishte përjetuar familja jonë.
Një nga ngjarjet që përmendi kishte ndodhur në nëntor të vitit 1993. Policia kishte ardhur para
agimit, rreth orës katër të mëngjesit, për të na arrestuar, sepse kishte marrë informacion se
ndodheshim në shtëpi. Por, për fat, Bejta, Rexhepi dhe Hajrushit kishin shkuar në pyll për të
siguruar dru për dimër.
Policia nuk na gjeti në shtëpi, por pas maltretimeve ndaj familjes u largua. Më pas kishte ngritur
pritë në rrugën e fshatit Mirosalë, nëpër të cilën ne duhej të kalonim për të ardhur në shtëpi.
Kur mbërritëm, filluan të shtënat. Për një moment arritëm ta largonim Hajrushin nga vendi i
ngjarjes dhe i thamë:
“Hajro, ti e di çfarë duhet të bësh. Ne mund të vritemi, por nëse ne vritemi, ti duhet të vazhdosh
rrugën për Shqipëri.”
Pastaj filluam të qëllonim për t’u mbrojtur. Ata ishin shumë më të shumtë në numër dhe terreni
ishte përgatitur në mënyrë që të na e pamundësonte largimin. U rrethuam dhe përleshja u bë trup
më trup.
Ishin katër prej nesh përballë rreth tridhjetë policëve.
Na arrestuan dhe na dërguan në Ferizaj. Rexhepin e lidhën për një radiator dhe e torturuan në
mënyrë çnjerëzore. Bejtushi arriti të largohej, pasi nuk i kishin vendosur prangat dhe dera ishte e
hapur. Ai njoftoi familjen dhe, me ndihmën e mjeteve financiare, atë ditë u arrit të sigurohej lirimi
i të burgosurve.
Pas rreth një jave, për shkak të situatës së krijuar, u detyruam të largoheshim nga Kosova. Bejtushi
shkoi në Gjermani, ndërsa Rexhepi në Mal të Zi. Atje vazhduan veprimtarinë e tyre në mënyra të
ndryshme deri në vitin 1998.
Më pas, njëri u kthye nga Gjermania dhe tjetri nga Mali i Zi. U takuan në Shqipëri, në bazën e
UÇK-së në Durrës, te Gani Kapiti, i cili i drejtoi për në Krum, te Komandant Plaku.
Atje iu bashkuan idealit për çlirimin e vendit dhe luftës së UÇK-së.
“Edhe ne do t’i kryejmë punët tona”, i thamë babait. “Amanetin tënd do ta çojmë deri në fund.
Shyqyr Zotit që po e trashëgojmë këtë amanet dhe do ta çojmë në vend.”
Babai iu drejtua Komandant Plakut:
“Këta janë djemtë e mi. Mos i kurse kur ta kërkojë vendi. Ku t’i lypë nevoja, dërgoji.”
Komandant Plaku u mahnit nga fjalët e babait. E përqafoi edhe një herë dhe i tha:
“Ti mos ki dert. Djemtë e tu janë të Kosovës. Ata janë çlirimtarë.”
Pastaj i tha të kthehej në Kosovë, sepse atje e prisnin familja dhe fshati.
“Ti duhet të jesh krenar për djemtë që ke rritur.”
Atë natë qëndruam bashkë dhe biseduam gjatë. Të nesërmen erdhi koha e ndarjes.
Kur u përshëndetëm, të gjithë mbetëm të heshtur për një çast. Fjalët e babait Sami kishin një peshë
të veçantë. Ato vinin nga një njeri që kishte përjetuar shumëçka gjatë jetës dhe që e kuptonte më
mirë se shumë të tjerë çmimin e lirisë.
Ai na foli për rëndësinë e unitetit, respektit dhe përgjegjësisë që kishim ndaj popullit tonë si
çlirimtarë. Na tha se një ditë lufta do të përfundonte dhe se pas saj do të vinte një sfidë tjetër:
ndërtimi i paqes dhe i së ardhmes.
Ishin fjalë të thjeshta, por të mbushura me urtësi.
Kur u ngritëm për t’u përshëndetur, ai na shtrëngoi duart me radhë dhe tha:
“Për mua, tri ditë janë tri sekonda, por kanë qenë të mjaftueshme. Këtu e pashë çlirimin. Takohemi
së shpejti në liri. Shëndet!”
Kur erdhi radha ime, më shikoi drejt në sy dhe më tha:
“Mos harro kurrë se liria fitohet me sakrificë, por ruhet me mençuri.”
Këto fjalë më shoqëruan gjatë gjithë luftës dhe edhe pas saj.
Lufta vazhdoi. Ditët e vështira nuk munguan. Kishte beteja, humbje dhe sfida të panumërta. Por
kujtimi i atij takimi mbeti gjithmonë i gjallë. Ai më kujtonte pse luftonim dhe, mbi të gjitha, çfarë
duhej të ndërtonim pas fitores.
Sot, pas shumë vitesh, ende nuk e di nëse babai im, plaku me rrudhat e ballit dhe plisin mbi kokë,
e kuptoi ndonjëherë se sa ndikim patën fjalët e tij mbi mua. Por e di se ato fjalë më kanë përcjellë
gjatë gjithë jetës, kudo që kam shkuar dhe në gjithçka që kam bërë.
Në luftë takon shumë njerëz. Disa i kujton për trimërinë e tyre, disa për sakrificat dhe disa për
veprat që kanë bërë. Por ka edhe njerëz që i kujton për urtësinë që ta dhurojnë pikërisht atëherë
kur ke më shumë nevojë për të.
Babai ishte njëri prej tyre.
Sa herë që mendoj për rrugëtimin tim si luftëtar i lirisë, kujtoj edhe atë ditë në Shqipëri, në kohën
kur Kosova ishte e goditur nga lufta. Kujtoj fytyrën e tij të rrudhur, zërin e qetë dhe fjalët që
mbartnin peshën e një jete të tërë.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ai takim mbetet i paharrueshëm.
Sepse në mes të luftës, kur mendja ishte e përqendruar te betejat dhe mbijetesa, takova një njeri që
më kujtoi se liria nuk është vetëm një fitore ushtarake. Ajo është një vlerë njerëzore që kërkon
zemër, karakter, sakrificë dhe mençuri për t’u ruajtur.
Babai arriti ta priste çlirimin e Kosovës, por nuk arriti ta priste pavarësinë. Nuk arriti as ta shihte
përmbushjen e njërit prej amaneteve të tij më të mëdha: shpalljen e shtëpisë sonë si shtëpi-bazë e
UÇK-së.
Më 29 dhjetor 2002, babai im, Samiu, ndërroi jetë.
U largua nga kjo botë, por amaneti i tij mbeti.
Mbeti në kujtesën tonë, në rrugën që ndoqëm, në sakrificën e familjes dhe në bindjen se liria, për
të cilën u flijuan breza të tërë, duhet të ruhet me dinjitet, përgjegjësi dhe mençuri.
Prandaj, ndër kujtimet e shumta që mbaj nga ajo kohë, ai mbetet një takim që nuk do ta harroj
kurrë.
Një takim pas shumë vitesh.
Një takim në mes të luftës.
Një takim me babain.
Dhe mbi të gjitha, një takim me një amanet që vazhdon të jetojë.
Bejtush Qosa
10.06.2026
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
