Shqipe Krasniqi: A kam të drejtë të kërkoj drejtësi për babanë tim të masakruar?

28 Korrik 1998 – Dita kur serbet me masakruan babanë tim, mësuesin Jashar Sherif Krasniqi, pak metra larg meje, ishte dita kur filloi betimi im për drejtësi!

Si sot më kujtohet ajo ditë trishtimi, kur Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, që vepronte në Kosovë në kohë lufte, më njoftoi se nga fshati yt, Tërpezë e Poshtme, Komuna e Malishevës, ishin larguar forcat serbe dhe se disa eshtra ndodheshin në vendin ku e kisha përshkruar se ishte ekzekutuar babai im, Jashar Sherif Krasniqi.

U nisa nga fshati Pagarushë, ku kisha fjetur atë natë te tezja Ajnë, nëna e Heroit Ejup Kryeziu. Rrugës takova bashkëluftëtarë, disa prej të cilëve kishin njohuri se kishte trupa të pajetë të shpërndarë nëpër rrugë, eshtra…por nga dhimbja për mua nuk flisnin.

Kur shkova në fshatin tim, afër shtëpisë sime, gjeta këta eshtra. I mblodha në një hapësirë prej rreth 100 metrash, aty ku ishte vrarë e masakruar baba im, mësuesi Jashar Sherif Krasniqi.

I mblodha eshtrat, aq sa gjeta. Mblodha edhe ato pak rroba të grisura nga thika, e plumba si dhe orën e dorës, e cila kishte ndalur në datën 28, ditën kur ishte vrarë e masakruar. I vendosa të gjitha në një batanije, i mbarta në krahë dhe i futa brenda odës, e cila ishte e shkrumbuar. Aty babai im e kalonte mbi 80% të kohës, sepse aty kishte edhe bibliotekën me libra dhe tavolinën e punës.

I lashë aty.

Të nesërmen, me nënën, vëllain Shaqirin, me mixhën Manush, me tezen Ajnë, me Heroin Ejup Kryeziu, disa bashkëfshatarë të paktë që ishin kthyer, si dhe me ushtarë të UÇK-së të asaj ane, u mblodhëm dhe e varrosëm mësuesin e vrarë e të masakruar, Jashar Sherif Krasniqin.

Të nesërmen u gjetën edhe kufomat e karbonizuara të mësuesit Rasim Krasniqi dhe Ajet Krasniqit, si dhe Demush Krasniqi, i vrarë, ndërsa edhe sot e kësaj dite i zhdukur është Hasan Krasniqi. Të gjithë nga fshati Tërpezë e Poshtme. Nga Terpeza e Poshtme me banim në Fushë Kosovë ishin edhe bashkëfshatarët tanë burrë dhe grua Hamdi e Miradije Krasniqi dhe djali i tyre Doktor Agron Krasniqi e qe eshtrat e tyre u kthyen nga Serbia disa vite më vonë pas çlirimit.

Mësuesi Jashar, në fund të qershorit, kishte përfunduar mësimin duke e kaluar edhe një gjeneratë nga mësimi klasor dhe pritej që në shtator ta fillonte me klasën e parë.

Ai, pas një muaji, u vra e u masakrua. Nuk e gëzoi as edhe një ditë liri, por as nuk priti të mësonte më asnjë nxënës, nxënës që me gëzim i priste çdo fillim të vitit të ri shkollor.

Për 30 vite në mësimdhënie, asnjë mungesë nuk kishte. Kishte marrë mirënjohje si mësuesi më i mirë në Komunën e Malishevës.

Ishte halë në sy për serbet dhe ishte rrahur nga serbet në oborr e shtëpi të tij në kërkim të armeve 1993.

Disa herë, prej vendit ku ishte vrarë, pasi dija se isha nda e fundit më të, kam tentuar të hyj për ta nxjerrë kufomën, por ishte e pamundur, pasi forcat serbe ishin të stacionuara pikërisht në një pjesë të shtëpisë time, edhe pse e tëra ishte e djegur, por kishte pllaka betoni.

Krejt këtë që përshkrova dua ta nxjerr në pikën më të rëndësishme, atë që më dhemb shumë dhe do të më dhembë gjithë jetën:

Si është e mundur që, deri më tani, nuk u gjykua askush nga Serbia për këto krime dhe masakra në fshatin Tërpezë e Poshtme të Komunës së Malishevës?!

Kaluan 28 vite e ca nga data 28 korrik 1998, kur në fshatin tonë u krye masakër, u zhduken katër fshatar, njëri prej tyre ende është i zhdukur nga forcat serbe dhe u dogj 90% e fshatit.

Ne kemi krime të faktuara, kemi fotografi, kemi dëshmitarë. Serbia e di kush ka vepruar në atë territor dhe hesht, duke luajtur viktimën. Dhe, deri më tani, askush nuk doli të japë qoftë edhe një informacion, një dëshmi, se kush i kreu këto krime makabre.

Baba im u vra e u masakrua në prag të shtëpisë, bashkëfshatarët po ashtu, popullata disa mbeten nëpër male e 60% e tyre u dëbuan për Shqipëri.

Në Kosovë të gjithë të vrarët e të masakruarit – gra, fëmijë, pleq, gra shtatzëna, femra të dhunuara – dhe popullata u largua. 80% u dëbua për Shqipëri, ndërsa të tjerët u strehuan nëpër male këtu u ushtrua gjenocid ndaj popullit shqiptar nda një shtet okupator siç është Serbia.

A kam të drejtë të kërkoj drejtësi për babanë tim të masakruar,  bashkëfshatarët e mi të vrarë e të karbonizuar, për vrasjen dhe zhdukjen e kufomave të tyre, për djegien e gjithë fashatit?

A kam të drejtë të ngre zërin për drejtësi për Çlirimtarët, të cilët luftuan në tokën e tyre, duke mbrojtur popullin e tyre, pa shkuar askund dhe pa pushtuar asnjë vend tjetër?

Sot dhe sa të jem gjallë, do ta ngre zërin për drejtësi.

Do t’i mbroj me plot të drejtë Çlirimtarët që u dënuan me prova të fabrikuara të Serbisë e Rusisë.

Do ta ngre zërin për ata pleq e fëmijë të masakruar, për motrat tona të dhunuara, për ata të zhdukur që u kthyen disa vetëm eshtra çdo vit, duke na lënduar si komb, dhe për ata që nuk u gjetën kurrë!

Bashkëluftëtarë, deri sa të marr frymë, deri sa të shoh e të dëgjoj, deri sa të lëviz e të eci në këmbët e mia, do të kërkoj drejtësi e liri për ju!

Edhe pse mund të rrezikoj edhe kafshatën e gojës që e fitoj me shumë sakrificë e mund, por me punë të ndershme e dinjitetshme, nuk do të ndalem së kërkuari drejtësi.

Liri pa kushte për gjithë Çlirimtarët!

Lavdi gjithë të rënëve për Liri!

E gëzofsh shtetësinë, Kosovë e lirë!

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Halimi: KUR SMITHAT T’I PRESIN RROBAT

Historia e rrobaqepësisë politike ka njohur lloj-lloj dizajnerësh, por asgjë nuk krahasohet me atë që …