Sot, u mbajt mbledhja e radhës e Kuvendit Komunal të Komunës së Skenderajt, për muajin shtator e udhëhequr nga Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, znj. Adelina Spahiu-Alija.
Në këtë mbledhje me shumicë votash u miratua Buxheti i Komunës së Skenderajt për vitin 2027 në vlerë prej 19 milion e 696 mijë e 968 euro, dhe parashikimi i buxhetit për vitin 2028–2029.
Në mbledhje morën pjesë Kryetari i Komunës z.Sami Lushtaku, Nënkryetari i Komunës, z. Fadil Nura, drejtorët e drejtorive si dhe anëtarët e Kuvendit Komunal
Mbledhja u hap me pikën e parë shtesë ku Kryetari i Komunës së Skenderajt, duke u bazuar në nenin 58 shkronja a) të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, në mbledhjen e rregullt të datës 29.09.2026, nxorri këtë:
Deklaratë “JO NË EMRIN TIM” ku Kryetari i Komunës dhe Kuvendi Komunal ritheksuan se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte vazhdimësi e luftës për liri dhe çlirim, e lindur nga rrethanat e rënda të represionit, dhunës, vrasjeve dhe dëbimit të popullsisë shqiptare të Kosovës.
Deklarata u përkrahë unanimisht nga anëtarët e Kuvendit Komunal të Komunës së Skenderajt.
Pas pikës shtesë mbledhja kishte këtë rend dite:
1. Fjala hyrëse;
2. Miratimi i rendit të ditës;
3. Shqyrtimi i procesverbalit nga mbledhja e kaluar;
4. Propozim – Vendim për miratimin e buxhetit të Komunës së Skenderajt për vitin 2027 dhe parashikimi i buxhetit për vitin 2028–2029;
5. Propozim – Vendim mbi lejimin e shfrytëzimit të mjeteve financiare në shumën prej 10,000 € (dhjetë mijë euro), për mbështetje financiare për Osman Bytyqin nga fshati Abri e Poshtme, për rindërtimin e shtëpisë së djegur si pasojë e zjarrit;
6. Propozim për miratimin e vendimit për mbështetjen financiare për NPL “Eko-Natyra” SH.A. Skenderaj, në shumën prej 50,000.00 €;
7. Propozim për miratimin paraprak të vendimit për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme të Komunës së Skenderajt, në shfrytëzim afatgjatë deri në 99 vite, personit fizik/juridik, parcelat me numër 699-10, 565-2, 569-0 dhe 570-1, prona publike në pronësi të Komunës, zona kadastrale Skenderaj;
8. Propozim për miratimin e vendimit për formimin e komisionit vlerësues për zbatimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim afatgjatë të pronave të paluajtshme të Komunës, përmes procedurës së shprehjes së interesit; parcelat kadastrale me numër 699-10, 565-2, 569-0 dhe 570-1 i pronës publike të Komunës së Skenderajt.
9. Propozim për miratimin e vendimit për formimin e Komisionit të Ankesave për shqyrtimin e ankesave të palëve në procedurën e dhënies në shfrytëzim afatshkurtër dhe afatgjatë të pronës së paluajtshme të Komunës së Skenderajt;
10. Propozim – Vendim për miratimin e Draft-Planit Komunal për Ri-integrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar dhe integrimin e të huajve në Komunën e Skenderajt 2026–2028;
11. Propozim – Vendim për shfuqizimin e vendimit nr. 01-020/01-0020578/26, të datës 04.06.2026, bazuar në rekomandimin e MAPL-së, për zëvendësimin e një anëtareje të Komitetit për Komunitete;
12.Diskutim rreth raportit të përformancës së Komunave për vitin 2025;
13.Pyetjet e këshilltarëve nën pikën të ndryshme.
Pikë shtesë:
2. Propozim – Vendim për miratimin e vendimit për inicimin e procedurës për themelimin e QMF-së në kuadër të QKMF-së në Komunën e Skenderajt.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicë votash.