Zeqir Bekolli

Zeqir Bekolli: KONTRIBUTET E MILLOSHEVIQIT – NJË DREJTËSI E KTHYER NË DISKRIMINIM NDAJ PENSIONISTËVE TË REZISTENCËS

A duhet të shpërblehen ata që vazhduan të punonin nën administrimin e regjimit të Millosheviqit, ndërsa të ndëshkohen ata që i rezistuan atij?
Është paradoksale që, më shumë se dy dekada pas çlirimit të Kosovës, një pjesë e pensionistëve të saj vazhdojnë të përballen me një padrejtësi që buron nga një dispozitë ligjore, e cila kërkon dëshmi për 15 vjet përvojë pune dhe kontribute pensionale, pa marrë parasysh rrethanat historike dhe politike në të cilat janë krijuar ato marrëdhënie pune.
Kjo kërkesë, në thelb, po i godet pikërisht ata qytetarë që nuk pranuan të bëheshin pjesë e mekanizmave institucionalë të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Ishin punëtorë, arsimtarë, gazetarë, intelektualë dhe profesionistë të tjerë, të cilët, në rrethana të jashtëzakonshme, zgjodhën rezistencën në vend të nënshtrimit. Për shumë prej tyre, largimi nga vendet e punës nuk ishte zgjedhje ekonomike, por qëndrim politik, moral dhe kombëtar përballë një regjimi shtypës.
Sot, paradoksi është i hidhur: ata që u përjashtuan nga puna, që refuzuan të pranonin institucionet e imponuara të Serbisë dhe që i qëndruan besnikë rezistencës, rrezikojnë të mbeten pa pensionin e merituar, sepse nuk mund të dëshmojnë kontributet që nuk patën mundësi t’i paguanin.
Ndërkohë, zbatimi mekanik i kësaj dispozite krijon një pabarazi të thellë: përvoja e punës dhe kontributet e realizuara gjatë administrimit të regjimit të Millosheviqit bëhen kriter për përfitim, ndërsa qëndresa ndaj atij regjimi shndërrohet në një pengesë për pensionistët.
Kjo nuk do të thotë se çdo person që ka punuar gjatë asaj periudhe ka qenë bashkëpunëtor i regjimit. Por institucionet e Kosovës nuk mund t’i trajtojnë të gjithë njësoj, duke shpërfillur faktin se mijëra shqiptarë u përjashtuan me dhunë nga puna dhe se një pjesë e tyre nuk patën mundësi as të vazhdonin përvojën e punës, as të paguanin kontributet pensionale.
Shtrohet një pyetje thelbësore: a mund të ndërtohet drejtësia shoqërore mbi një kriter që nuk e merr parasysh padrejtësinë historike?
Kosova nuk mund ta shkëpusë legjislacionin e saj nga historia e popullit të vet. Regjimi i Millosheviqit nuk ishte një administrim i zakonshëm shtetëror, por një regjim represiv, nën të cilin shqiptarëve iu mohuan të drejtat elementare, përfshirë të drejtën për punë, arsimim dhe jetë institucionale të barabartë. Përballë kësaj dhune, shoqëria shqiptare ndërtoi mekanizmat e saj të rezistencës dhe mbijetesës.
Prandaj, kur institucionet e sotme kërkojnë nga pensionistët dëshmi të kontributeve të asaj kohe, pa krijuar mekanizma për njohjen e përjashtimit dhe diskriminimit të ushtruar ndaj tyre, ato rrezikojnë ta shndërrojnë një kriter administrativ në një instrument të padrejtësisë historike.
Nuk është e pranueshme që një qytetar të penalizohet sot për shkak se dje nuk iu bind një regjimi që shtypte popullin e tij. Rezistenca nuk mund të trajtohet si mungesë përvoje pune, ndërsa përjashtimi politik si mangësi personale e qytetarit.
Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësi të ndërtojnë një zgjidhje ligjore që i njeh rrethanat e jashtëzakonshme të viteve të okupimit. Duhet të krijohet një mekanizëm i drejtë për njohjen e përvojës së punës së atyre që u larguan nga vendet e punës për shkaqe politike dhe kombëtare, duke u mbështetur në dokumentacionin, dëshmitë dhe rrethanat historike të secilit rast.
Pensioni nuk është lëmoshë. Ai është e drejtë e fituar dhe pjesë e dinjitetit njerëzor.
Është koha që Kuvendi i Kosovës ta rishikojë këtë dispozitë ligjore dhe t’i japë fund një padrejtësie që vazhdon të rëndojë mbi një brez njerëzish, të cilët paguan çmimin e rezistencës me humbjen e vendeve të punës, të ardhurave dhe sigurisë ekonomike.
Një shtet që e nderon rezistencën e vet nuk mund t’i lërë në harresë njerëzit që e bartën atë mbi supet e tyre.
Nuk mund të kërkohen kontribute nga ata të cilëve regjimi ua mori të drejtën për të punuar, e pastaj të ndëshkohen pse nuk i kanë ato kontribute.
Kjo nuk është vetëm çështje pensionesh. Është çështje e drejtësisë historike, e dinjitetit njerëzor dhe e raportit që Republika e Kosovës ndërton me të kaluarën e saj.

Kontrolloni gjithashtu

Adem Lushaj

Adem Lushaj: Drejtësia duhet të ushtrohet në Kosovë!

Gjykata Speciale në Hagë duhet ta përfundojë mandatin e saj, ndërsa Kosova duhet të dëshmojë …