Sala Jashari: Katër muaj pa terapi për një paciente me kancer

Deputetja e PDK, Sala Jashari, ka drejtuar kritika të ashpra ndaj ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për dështimin e vazhdueshëm në sigurimin e barnave esenciale dhe atyre onkologjike, duke e akuzuar ministrinë se po i përsërit të njëjtat probleme vit pas viti, pa ofruar zgjidhje për pacientët.
Gjatë interpelancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, të thirrur lidhur me vdekjen e një pacienteje me kancer, e cila kishte mbetur katër muaj pa terapi, Jashari ka vënë në pah pasojat e rënda të mungesës së barnave dhe papërgjegjësinë institucionale ndaj qytetarëve që varen nga trajtimet mjekësore.
Ajo ka theksuar se mungesa e barnave esenciale nuk është një problem i paraqitur së fundmi, por një dështim që, sipas saj, po përsëritet që nga viti 2021, ndërsa ministria vazhdon të mos sigurojë furnizim të qëndrueshëm.
“Këtë interpelancë e kemi iniciuar pas ankesave të shumta të qytetarëve për mungesën e barnave, veçanërisht të atyre që përdoren në trajtimin e kancerit. Duam të dërgojmë mesazh të qartë: shëndetësia, sigurimi i barnave dhe përmirësimi i kushteve duhet të jenë prioritete reale buxhetore, jo vetëm premtime në letër. Qytetarët kanë të drejta, institucionet kanë detyrime”, ka deklaruar Jashari.
Deputetja e PDK-së ka kritikuar ashpër faktin që pacientët me sëmundje të rënda detyrohen të përballen me pasigurinë nëse do ta marrin terapinë e nevojshme, ndërsa familjet e tyre shpesh detyrohen të hyjnë në borxhe, të shesin pasurinë apo të kërkojnë ndihmë për të siguruar barnat që duhet t’i ofrojë shteti.
“Sepse, kur një qytetar detyrohet të luftojë për të siguruar terapinë që i nevojitet për të jetuar, atëherë kemi të bëjmë me papërgjegjësi shtetërore”, ka thënë ajo.
Duke iu drejtuar drejtpërdrejt ministrit Vitia, Jashari ka theksuar se katër muaj pa terapi për një paciente me kancer nuk mund të trajtohen si një vonesë e zakonshme administrative apo tenderuese, pasi për pacientin çdo ditë e humbur mund të ketë pasoja të rënda.
“Katër muaj, zoti ministër, katër muaj pa barin që i ndihmon në terapinë e kancerit. Për ju mund të jetë vetëm një tender që është vonuar, por për atë grua ishin katër muaj pritje për një bar, ndërsa sëmundja nuk pret”, ka deklaruar Jashari.
Ajo ka rikthyer vëmendjen te mungesa e barnave që nga viti 2021, duke e cilësuar vazhdimësinë e këtij problemi si dëshmi të mungesës së përgjegjësisë dhe të një politike shëndetësore që nuk po arrin të garantojë nevojat elementare të pacientëve.
“Prej vitit 2021 ju keni mungesë të barnave esenciale dhe problemet po ju vazhdojnë vit pas viti”, i është drejtuar ajo ministrit Vitia.

Kontrolloni gjithashtu

Ermal Sadiku: LDK-ja nuk e ndryshon qëndrimin për Specialen pa një proces gjithëpërfshirës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka bërë të ditur se partia e …