Deklaratat e ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, për nismën e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara janë pasuar nga reagime të njëpasnjëshme të përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët kanë shprehur shqetësime për pasojat juridike dhe politike të kësaj iniciative. Bashkimi Evropian, Ambasada Britanike, Ambasada Italiane dhe Ambasada Gjermane kanë dalë me qëndrime kundërshtuese ndaj mënyrës së paralajmëruar të ndryshimit të ligjit, duke kërkuar respektimin e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe konsultime para ndërmarrjes së çfarëdo hapi ligjor. BE-ja ka paralajmëruar se ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe mekanizmat e llogaridhënies. Institucioni evropian ka vënë në pikëpyetje edhe kushtetutshmërinë e tyre, duke bërë të ditur se këto shqetësime ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës. Qëndrim kritik ka shprehur edhe Ambasada Britanike, e cila ka paralajmëruar se ndryshimet mund të dëmtojnë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët dhe mbështetësit ndërkombëtarë. Megjithëse ka pranuar se aktgjykimet e fundit kanë shkaktuar reagime të forta, ambasada ka kërkuar që Kosova të mos largohet nga zotimet ndërkombëtare dhe parimet e drejtësisë. Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Italia, e cila ka ngritur shqetësime për obligimet ndërkombëtare, pavarësinë e gjyqësorit dhe mbrojtjen e viktimave e dëshmitarëve. Ndërsa Ambasada Gjermane ka shprehur pajtim të plotë me deklaratën e Bashkimit Evropian.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
