Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, ka bërë të ditur se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrimin lidhur me nismën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kushtëzuar çdo rishqyrtim të pozicionit me një proces të përbashkët politik. Sadiku ka thënë se LDK-ja do të mund ta shqyrtonte mbështetjen për ndryshimet ligjore nëse ato do të hartoheshin përmes konsultimeve gjithëpërfshirëse, ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë politike. Si çështje që mund të përfshiheshin në këto ndryshime, ai ka përmendur rritjen e financimit dhe forcimin e mbikëqyrjes ndaj punës së Gjykatës Speciale, duke vlerësuar se ndryshimet me përmbajtje të tillë do të duhej të mbështeteshin nga të gjitha subjektet politike. Deputeti i LDK-së ka shprehur gjithashtu shqetësim për reagimet e partnerëve ndërkombëtarë ndaj kësaj nisme, duke theksuar se Kosova duhet të ruajë koordinimin me Bashkimin Evropian dhe aleatët e saj. Ai ka rikujtuar se bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë mbetet pjesë e qëndrimit politik të LDK-së për zhvillimin e shtetit të Kosovës. Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka nisur shqyrtimin e mundësisë për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, por seanca është ndërprerë dhe vazhdimi i saj është paralajmëruar për nesër.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
