Gjykata Administrative i ka dhënë të drejtë Haxhi Shalës në kontestin me Ministrinë e Drejtësisë, duke konstatuar se kjo ministri kishte zbatuar gabimisht udhëzimin administrativ për mbulimin e shpenzimeve të mbrojtjes juridike të personave të akuzuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sipas vendimit të 8 nëntorit 2026, Ministria e Drejtësisë kishte vepruar në kundërshtim me dispozitat përkatëse kur kishte kufizuar në 1.000 euro në muaj mbështetjen financiare për mbrojtjen e Shalës, duke zbatuar udhëzimin administrativ të vitit 2024, në vend të atij të vitit 2022. Rasti lidhet me aktakuzën e ngritur ndaj Shalës më 6 dhjetor 2023, ndërsa udhëzimi i ri kishte hyrë në fuqi më 7 shkurt 2024. Gjykata ka vlerësuar se për këtë rast duhej të zbatohej udhëzimi i vitit 2022, pasi ai përcaktonte se mbulimi i shpenzimeve të mbrojtjes fillon nga momenti i ngritjes së aktakuzës. Pas vendimit të Ministrisë për t’i ndarë vetëm 1.000 euro në muaj, Shala, përmes avokatit të tij, kishte paraqitur ankesë më 21 shkurt 2024. Kërkesa ishte refuzuar më 29 shkurt të po atij viti nga ministrja e atëhershme e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në arsyetimin e vendimit, Gjykata Administrative ka konstatuar se Ministria nuk e kishte trajtuar kërkesën në përputhje me udhëzimin që ishte në fuqi në kohën e ngritjes së aktakuzës. Sipas gjykatës, rasti i Shalës duhej të klasifikohej si kompleks, sipas kritereve të udhëzimit të vitit 2022. Një nga çështjet e ngritura në vendim është edhe trajtimi jo i njëjtë i rasteve. Gjykata ka vënë në pah dallimin ndërmjet mbështetjes së kufizuar për Shalën dhe asaj të dhënë në rastin e Nasim Haradinajt, të cilit, sipas vendimit, i ishin ndarë 81 mijë euro për mbrojtjen juridike. Gjykata ka rikujtuar gjithashtu se udhëzimi i vitit 2022 përcakton trajtimin e barabartë të personave të akuzuar potencialë dhe ndalon çdo formë diskriminimi ndaj tyre.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
