Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar gjendjen në sistemin shëndetësor, duke kërkuar nga Qeveria që shëndetësinë ta vendosë në mesin e prioriteteve kryesore dhe të ndërmarrë hapa konkretë për lehtësimin e qasjes së qytetarëve në barna.
Gjatë seancës së Kuvendit, ku ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, po përballet me interpelancë lidhur me rastin e pacientes që vdiq nga kanceri dhe mungesën e barnave onkologjike, Kadrijaj ka ngritur edhe çështjen e moszbatimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Ajo ka pyetur se kur do të nisë zbatimi i tij dhe kur qytetarët do të kenë një sistem që ua garanton mbrojtjen dhe qasjen më të lehtë në shërbime shëndetësore.
“Shëndetësia është çështje e dinjitetit njerëzor. A është shëndetësia prioritet i kësaj qeverie? Aman, bëjeni prioritet, se qytetarët janë në hall”, ka deklaruar Kadrijaj.
Deputetja ka përmendur edhe fjalët e një qytetari, i cili, sipas saj, kishte humbur jetën në rrethana të mungesës së barnave: “A me jetu, a me ble barna?”.
Kadrijaj ka thënë se kjo deklaratë duhet t’i prekë të gjithë, përfshirë edhe deputetët, pasi pasqyron vështirësitë me të cilat përballen qytetarët kur detyrohen të zgjedhin mes nevojave jetësore dhe mundësisë për të siguruar trajtimin mjekësor.
Ajo ka kërkuar reflektim institucional dhe veprime konkrete për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi, duke theksuar se qytetarët nuk mund të vazhdojnë të përballen vetë me barrën e sigurimit të barnave dhe trajtimeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
