Ditën e shtatë para Qeverisë, Fadil Demaku: Zemërimi i qytetarëve do të rritet

Partia Demokratike e Kosovës ka hyrë në ditën e shtatë të aksionit protestues para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar zhbllokimin e institucioneve dhe vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Aksionit të PDK-së i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës, ndërsa pjesë e protestës kanë qenë edhe asamblistë të PDK-së nga Lipjani. Asamblistja Yllëza Bedrolli tha se institucionet publike nuk duhet të mbahen të bllokuara dhe i bëri thirrje Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit që të rikthehen në Kuvend për të mundësuar formimin e institucioneve. Ndërkohë, deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, e ka ashpërsuar gjuhën ndaj Kurtit, duke e akuzuar atë për shkelje të Kushtetutës dhe të rendit juridik. Demaku paralajmëroi se vazhdimi i bllokadës mund të rrisë pakënaqësinë qytetare. “Ne i bëjmë thirrje që sa më shpejt të ndryshojë këtë qëndrim, sepse në këtë formë, nëse vazhdohet edhe më tutje, zemërimi i qytetarëve do të rritet dhe për pasojat, përgjegjësitë do t’i bartë ai në ditët në vazhdim”, deklaroi Demaku. Aksioni i opozitës po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi ende nuk ka arritur të përmbyllë procesin e konstituimit, ndërsa përplasjet mes partive politike për mënyrën e tejkalimit të ngërçit institucional po vazhdojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami për vdekjen e tre punëtorëve në KEK: Nëse ka neglizhencë, të ketë përgjegjësi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vdekjes së tre punëtorëve …