Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ashpër situatën politike dhe institucionale në Kosovë, duke akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për bllokimin e funksionimit të institucioneve. Haxhiu tha se afati 30-ditor, të cilin ajo e cilësoi si “të shpikur” nga Kurti dhe vartësit e tij, tashmë ka përfunduar dhe sipas saj, është në kundërshtim me Kushtetutën. “Në këtë 30-ditëshin e shpikur nga Albin Kurti dhe vartësit e tij, 30-ditëshi është konsumuar. Kjo është një periudhë që për ne është jokushtetuese”, deklaroi Haxhiu. Ajo tha se opozita është e gatshme për zgjedhje, por theksoi se përgjegjësia për situatën e krijuar duhet të përcaktohet para se vendi të shkojë sërish në zgjedhje. “Qytetarët po e shohin kush është bllokues i institucioneve. Qytetarët po e shohin kush po do ta çojë prapë vendin në zgjedhje”, u shpreh ajo. Haxhiu kritikoi edhe qeverisjen aktuale, duke pretenduar se janë bërë shkelje të ligjeve dhe të Kushtetutës, përfshirë edhe mënyrën e menaxhimit të buxhetit. Ajo paralajmëroi se Aleanca do të përdorë mekanizmat ligjorë dhe kushtetues për të kërkuar përgjegjësi institucionale. “Ligji për Qeverinë nuk është që vlen fare për z. Kurti. Ka shkelje të këtij ligji, ka shkelje të Kushtetutës së vendit, ka shkelje të Rregullores së Kuvendit”, tha Haxhiu. Në fund, ajo bëri të ditur se partia e saj do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale, për shkeljet që, sipas saj, janë evidentuar gjatë kësaj periudhe.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
