Ismail Tasholli: Çlirimtarë nuk jeni vet, pas jush qëndron një popull i tërë që do Drejtësi

Ismail Tasholli paralajmëron marshin e madh në Prishtinë

Ismail Tasholli, nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, ka deklaruar se Kosova dhe shqiptarët kudo që ndodhen po e presin me vëmendje të veçantë 16 shtatorin, datën kur pritet të shpallet verdikti final ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Deklaratat e tij erdhën pas konferencës së platformës, ku u bë e ditur se më 12 shtator në Prishtinë do të mbahet një Marsh për Liri, vetëm katër ditë para seancës në Hagë. Tasholli tha se kjo nuk është më vetëm një pritje e familjeve dhe mbështetësve të ish-krerëve të UÇK-së, por një pritje që, sipas tij, ka prekur mbarë shoqërinë shqiptare. “E tërë Kosova po pret. Madje edhe jashtë kufijve të Kosovës, krejt shqiptaria po pret, sepse është një udhëkryq shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit”, është shprehur ai. Duke folur për peshën që 16 shtatori ka për shoqërinë kosovare, Tasholli tha se kjo datë shënon një moment të rëndësishëm për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Sipas tij, pritja e gjatë rreth procesit gjyqësor në Hagë ka krijuar një presion të vazhdueshëm mbi shoqërinë, ndërsa mesazhi i marshit, sipas tij, është që Kosova po i pret bijtë e saj aty ku e kanë vendin dhe ku e kanë dhënë kontributin në rrugën drejt lirisë. “Mbasi 16 shtatorit, Kosova më nuk do të jetë e njëjtë. Pritja jonë është pritje e gjatë dhe një lloj pritjeje e vazhdueshme, e cila na ka ndejt mbi krye dhe na ka bërë presion padrejtësisht”, ka thënë Tasholli, duke e cilësuar 16 shtatorin si një datë me rëndësi të veçantë për shoqërinë kosovare.

Kontrolloni gjithashtu

Nga i dënuar për gjenocid në “hero”: Mediat serbe glorifikojnë Ratko Mlladiqin

Vdekja e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiq, ka nxjerrë sërish në pah …