Në Viti u promovua libri „Rruga që më krijoi” të autorit Musah Selmani, në një aktivitet të organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve dhe Krijuesve „Ramadan Musliu” – Viti.
Me këtë rasti i pranishëm ishte edhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti i cili e përgëzoi autorin për veprën, e cila sipas tij pasqyron jetën, sakrificat në mërgim dhe rrugëtimin drejt suksesit, duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjeve me atdheun.
“Kjo vepër nuk është vetëm një përmbledhje kujtimesh, por një rrëfim i sinqertë për jetën, sakrificat në mërgim dhe rrugëtimin e një bashkëqytetari tonë drejt suksesit në Evropë.
Përmes faqeve të këtij libri, Musahu na tregon me mjaft vërtetësi se si me punë të palodhur, guxim dhe me ruajtjen e vlerave të forta familjare, mund të përballohet çdo sfidë e jetës”, u shpreh kryetari Haliti.
Në emër të shoqatës, fjalë rasti mbajti Prof. Dr. Nexhmedin Bardhi, i cili theksoi se promovimi i librave ka për qëllim afrimin e autorit me lexuesin dhe librin, duke folur edhe për rëndësinë e kësaj vepre.
Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Valmir Sahiti i cili po ashtu foli për rëndësinë e fjalës së shkruar.
Poashtu kryetari Haliti i ndau autorit Musah Selmani një mirënjohje për kontributin e tij në krijimtarinë letrare.
Përndryshe në këtë promovim e këtij libri ishin edhe redaktori i saj, Sarë Gjergji dhe recensenti Hasan Rashiti të cilët e vlerësuan lartë krijimtarinë letrare të autorit në fjalë.