Sot, në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Deçanit, kryetari i Komunës, z. Bashkim Ramosaj, nderoi me titullin “Qytetar Nderi i Deçanit” mikun e çmuar të popullit shqiptarë, oficerin kanadez të Forcave Ajrore, z. John Paul Mulhall – Poli, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në Kosovë gjatë periudhës së luftës dhe në vitet e rindërtimit të vendit tonë.
Në këtë ceremoni solemne ishte i pranishëm edhe gjenerali z. Daut Haradinaj, së bashku me përfaqësues të institucioneve dhe personalitete të tjera.
Në ditët më të vështira për Kosovën, Poli ishte ndër miqtë ndërkombëtarë që qëndruan pranë popullit tonë. Kontributi i tij në mbështetjen e institucioneve dhe në rindërtimin e Deçanit, përfshirë realizimin e projekteve të rëndësishme në shërbim të qytetarëve, mbetet pjesë e çmuar e kujtesës dhe mirënjohjes sonë.
Deçani nuk i harron miqtë që i qëndruan pranë në kohët më të vështira. Ndarja e këtij titulli është shprehje e respektit dhe mirënjohjes së thellë për një njeri që dëshmoi se miqësia e vërtetë nuk matet vetëm me fjalë, por mbi të gjitha me vepra.
I dashur Poli, Deçani ju njeh, ju vlerëson dhe ju konsideron mik të përhershëm, ka thënë në fjalën e tij, kryetari Ramosaj.
Mirënjohje e përhershme për kontributin tuaj dhe për miqësinë e fortë që lidh popullin e Kosovës me atë të Kanadasë!