Sadik Halitjaha apelon për unitet: Nuk duhet kërkuar fajtori, por zgjidhja

Ish-komandanti i UÇK-së, Sadik Halitjaha, ka bërë thirrje për unitet dhe përgjegjësi politike në Shqipëri, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për zgjidhje dhe dialog, e jo për thellim të përçarjeve. Përmes një reagimi publik, Halitjaha ka theksuar se në situatën aktuale nuk duhet të kërkohet vetëm fajtori, por të gjendet një rrugëdalje përmes marrëveshjes dhe mirëkuptimit ndërmjet palëve. “NUK DUHET KËRKUAR FAJTORIN TANI! DUHET KËRKUAR ZGJIDHJE!”, ka shkruar Halitjaha, duke shprehur shqetësimin për përshkallëzimin e tensioneve dhe pasojat që, sipas tij, mund të ketë përçarja e brendshme për shtetin dhe qytetarët. Ai ka paralajmëruar për rrezikun e dobësimit të institucioneve, dëmtimit të pronës dhe cenimit të demokracisë, duke i cilësuar plagët e brendshme si veçanërisht të rënda për unitetin dhe të ardhmen e vendit. Në reagimin e tij, Halitjaha ka përdorur gjuhë të ashpër ndaj atyre që i konsideron përgjegjës për nxitjen e dhunës dhe shkatërrimin e institucioneve. Ai ka shprehur gjithashtu shqetësimin për mundësinë e thellimit të ndarjeve politike e shoqërore në Shqipëri. Duke iu drejtuar kryeministrit Edi Rama, ai ka kërkuar gjetjen e një zgjidhjeje për krizën, ndërsa qytetarëve shqiptarë u ka bërë thirrje të ruajnë gjakftohtësinë, të ulen në dialog dhe të mos lejojnë që konfliktet politike të dëmtojnë të ardhmen e gjeneratave të reja. “Ta kuptojmë sa nuk është vonë, se me inate e skandale do t’ua humbim pasardhësve të ardhmen”, ka theksuar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Ramush Haradinaj për protestat në Shqipëri: Na dhemb sikur ta kishim në familje

Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim për zhvillimet e …