Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim për zhvillimet e fundit në Shqipëri, duke bërë thirrje për zgjidhje politike përmes dialogut dhe pa dhunë. Haradinaj ka thënë se po i përcjell me dhimbje protestat dhe tensionet në vendin fqinj, duke shpresuar që situata të tejkalohet pa viktima. “Me dhimbje po i përcjelli zhvillimet atje. Lutem që të arrihet një zgjidhje për atë gjendje politike, pa dhunë. Shpresoj pa viktima”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka theksuar se zhvillimet në Shqipëri prekin emocionalisht edhe qytetarët e Kosovës, për shkak të lidhjeve të ngushta mes dy vendeve. “Na dhemb sikur ta kishim në familje, gjithë atë që po ndodh”, është shprehur ai. Haradinaj u ka bërë thirrje institucioneve dhe protestuesve që të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund tensioneve. “Lutem të gjithëve, vëllezërve e motrave, edhe institucioneve edhe protestuesve, që të arrihet një marrëveshje e të ndalet kjo situatë”, ka thënë ai. Në përfundim, Haradinaj ka shprehur shpresën që Shqipëria ta tejkalojë sa më shpejt situatën e krijuar dhe t’u rikthehet proceseve politike në një klimë paqeje dhe stabiliteti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
