Heshtja e institucioneve të Kosovës për protestat në Shqipëri, zyrtarë të VV-së reagojnë individualisht

Prej disa ditësh, Shqipëria po përballet me protesta të tensionuara, të cilat në disa raste kanë eskaluar në përplasje mes protestuesve dhe Policisë. Ndërkohë, mungesa e reagimeve publike nga udhëheqësit institucionalë të Kosovës ka tërhequr vëmendjen në zhvillimet politike mes dy vendeve. Sipas raportimeve, presidentja Justina Shiroka-Pula, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Albulena Haxhiu nuk kanë dalë me deklarata publike lidhur me situatën, përfshirë thirrjet për qetësi, vetëpërmbajtje dhe zgjidhje të mospajtimeve përmes dialogut. Reagime publike nuk janë evidentuar as nga udhëheqësit kryesorë të partive opozitare në Kosovë. Megjithatë, zhvillimet në Tiranë kanë nxitur reagime nga disa figura të Lëvizjes Vetëvendosje dhe aktivistë të afërt me këtë subjekt politik. Dejona Mihali, Hysamedin Feraj dhe Elvi Hoxha kanë kritikuar veprimet e Policisë gjatë protestave, duke shprehur qëndrimet e tyre për situatën në kryeqytetin shqiptar. Në anën tjetër, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar ndaj dhunës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e protestës në mënyrë paqësore dhe të gjitha palëve që të tregojnë vetëpërmbajtje. “Dhuna, trazirat, lëndimi fizik i të tjerëve dhe shkatërrimi i pronës nuk janë angazhim qytetar”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane. Për zhvillimet në Shqipëri ka reaguar edhe Ali Ahmeti, lider i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut. Ai u ka bërë thirrje partive politike shqiptare që të tregojnë maturi dhe përgjegjësi, duke i vendosur interesat e vendit mbi përplasjet partiake.

Foto: TOP CHANNEL

Kontrolloni gjithashtu

Një muaj nga dënimi i krerëve të UÇK-së, reagimet dhe përpjekjet institucionale vazhdojnë

Ka kaluar një muaj nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë nga Gjykata Speciale …