Përparim Rama drejt kreut të LDK-së, lë të hapur mundësinë e kandidimit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shprehur gatishmëri për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të partisë, ndonëse ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Rama ka bërë të ditur se për këtë çështje ka diskutuar me kryetarin aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe me anëtarë të tjerë të partisë. Ai ka theksuar se vazhdimisht ka qenë i gatshëm të kontribuojë për LDK-në, duke përmendur edhe rezultatin e partisë në Prishtinë, ku sipas tij, pas 12 vjetësh, ajo ka dalë e para në kryeqytet. “Normal që jam i interesuar me i ndihmu Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe me nxjerr prej aty ku është. Si gjithmonë, kam qenë aty për ta, jam aty për ta, do të jem aty për ta”, ka deklaruar Rama. I pyetur nëse do të kandidojë zyrtarisht për drejtimin e partisë, kryetari i Prishtinës nuk e ka konfirmuar përfundimisht këtë mundësi, por ka lënë të kuptohet se kandidimi është një opsion serioz. “Ende nuk e kam marrë vendimin, por besoj që po!”, është shprehur ai. Rama kishte shprehur interesimin për drejtimin e LDK-së edhe më herët, duke bërë të ditur se gatishmërinë e tij ua kishte komunikuar edhe Lumir Abdixhikut, Lutfi Hazirit dhe Avdullah Hotit. Ai kishte deklaruar se ishte i gatshëm të merrte drejtimin e partisë si kandidat i unitetit, me kusht që brenda LDK-së të arrihej një marrëveshje për bashkimin e strukturave dhe tejkalimin e mospajtimeve.

Kontrolloni gjithashtu

Një muaj nga dënimi i krerëve të UÇK-së, reagimet dhe përpjekjet institucionale vazhdojnë

Ka kaluar një muaj nga shpallja e aktgjykimit të shkallës së parë nga Gjykata Speciale …