Protesta e zhvilluar në Tiranë, e cila për disa orë vijoi pa incidente përpara Kryeministrisë, është tensionuar në orët e mbrëmjes, pas marshimit të protestuesve përgjatë bulevardit. Rreth orës 18:00, situata është përshkallëzuar në afërsi të Ministrisë së Brendshme, ku protestuesit janë ndarë në dy grupe dhe kanë hedhur mjete piroteknike në drejtim të institucionit. Përballë tensioneve, Policia ka ndërhyrë me autobotë me ujë për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll. Ndërkohë, zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë, Anisa Ruseti, ka deklaruar se situata është nën kontroll, duke u bërë thirrje të rinjve dhe prindërve të tregojnë kujdes dhe të shmangin përfshirjen në veprime të kundërligjshme. Ruseti ka rikujtuar se mosha e mitur nuk e përjashton automatikisht përgjegjësinë penale, duke theksuar se, sipas legjislacionit shqiptar, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14-vjeçare, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16-vjeçare. Ajo ka bërë të ditur se përgjegjësia do të vlerësohet individualisht për secilin person, në bazë të veprimeve dhe provave, duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat e të miturve. “Askush nuk duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e të tjerëve vetëm për faktin se ndodhej në të njëjtën protestë”, ka deklaruar Ruseti.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
