Komuna e Vitisë mbajti diskutim publik për Projekt Hartën Zonale Komunale 2026–2034

Komuna e Vitisë ka mbajtur diskutim publik lidhur me Projekt Hartën Zonale Komunale të Vitisë 2026–2034, me qëllim të informimit të qytetarëve dhe palëve të interesuara për përmbajtjen dhe rëndësinë e këtij dokumenti, si dhe për mundësinë e paraqitjes së komenteve, vërejtjeve dhe propozimeve para finalizimit të tij.

Gjatë këtij diskutimi, zyrtari komunal pranë Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Alban Sokoli, bëri të ditur se gjatë hartimit të projektit janë zhvilluar takime të shumta në terren, me qëllim të evidentimit të gjendjes ekzistuese dhe shqyrtimit të nevojave për zhvillimin hapësinor të komunës. Ai theksoi se dokumenti do të jetë në shqyrtim publik, duke u dhënë mundësi qytetarëve dhe grupeve të interesit që të paraqesin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre.

Ndërkaq, drejtoresha e Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, Zyrafete Rama, foli për rëndësinë e Projekt Hartës Zonale Komunale si një dokument që orienton zhvillimin e ardhshëm të territorit të komunës. Ajo sqaroi se dokumenti është ende në fazën e projektit dhe se kërkesat, komentet dhe propozimet e pranuara gjatë shqyrtimit publik do të analizohen para përgatitjes së versionit përfundimtar.

Rama theksoi se përfshirja e qytetarëve, sektorit publik dhe privat, ekspertëve dhe grupeve të interesit është e rëndësishme për hartimin e një dokumenti që u përgjigjet nevojave të komunitetit dhe përcakton qartë orientimet për zhvillimin e ardhshëm të Vitisë.

Në vijim, përfaqësuesi i kompanisë “Insi”, Valon Gërmizaj, prezantoi para të pranishmëve Projekt Hartën Zonale Komunale për periudhën 2026–2034, duke shpalosur përmbajtjen e dokumentit dhe rolin e tij në planifikimin e shfrytëzimit të tokës dhe zhvillimit hapësinor të komunës.

Ai shpjegoi se përmes këtij dokumenti përcaktohen zonat e planifikuara për shfrytëzime të ndryshme, si dhe kushtet dhe kriteret që duhet të merren parasysh gjatë zhvillimit të tyre. Hartëzimi zonal shërben si bazë për orientimin e ndërtimeve, zhvillimin e infrastrukturës dhe harmonizimin e kërkesave për zhvillim me planifikimin hapësinor të komunës.

Gërmizaj theksoi rëndësinë e shqyrtimit të dokumentit nga qytetarët dhe palët e interesuara, në mënyrë që çështjet që lidhen me pronat, shfrytëzimin e tokës dhe zhvillimin e zonave të ndryshme të trajtohen përmes një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës. Ai u bëri thirrje të pranishmëve që ta shfrytëzojnë periudhën e shqyrtimit publik për të paraqitur vërejtjet dhe propozimet e tyre, të cilat do të shqyrtohen në kuadër të procedurave për përmirësimin dhe finalizimin e dokumentit.

Komuna e Vitisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe të interesuarve që të njihen me Projekt Hartën Zonale Komunale 2026–2034 dhe të kontribuojnë me komentet dhe sugjerimet e tyre gjatë periudhës së shqyrtimit publik.

Shqyrtimi publik zgjat 30 ditë kalendarike, nga 21 tetori deri më 19 nëntor 2026.

Dokumenti mund të shqyrtohet çdo ditë pune, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në hapësirat e Komunës së Vitisë, si dhe në faqen zyrtare të komunës: https://viti.rks-gov.net/.

Kontrolloni gjithashtu

Komuna e Vitisë vlerëson kontributin 40-vjeçar të mësimdhënësit Feriz Muharremi

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur në takim mësimdhënësin Feriz Muharremi, me …