Albert Zholi apelon për qetësi në Shqipëri: Më shumë dialog, më pak urrejtje, zero dhunë!

Opinionisti Albert Zholi ka bërë thirrje për gjakftohtësi, dialog dhe përgjegjësi qytetare në Shqipëri, në një kohë kur protestat dhe përplasjet po ngrenë shqetësime për sigurinë dhe stabilitetin shoqëror. Në një reagim të gjatë, Zholi ka dënuar dhunën, djegiet, shkatërrimin e bizneseve dhe sulmet ndaj policisë, por njëkohësisht ka kundërshtuar edhe çdo përdorim të tepruar apo të pajustifikuar të forcës nga ana e policisë. “Unë jam me Shqipërinë! Jam për dialogun dhe mirëkuptimin. Jam kundër dhunës, kundër djegies, kundër shkatërrimit të bizneseve dhe kundër hedhjes së gurëve ndaj policisë”, ka shkruar ai. Zholi ka theksuar se policët dhe studentët janë pjesë e së njëjtës shoqëri dhe se përplasjet mes tyre nuk i shërbejnë interesit të vendit. “Policët janë vëllezërit tanë, bijtë e këtij vendi. Studentët janë fëmijët tanë, shpresa dhe e ardhmja e Shqipërisë. Pse duhet të përballen me njëri-tjetrin?”, ka pyetur ai. Opinionisti ka nënvizuar se protesta është një e drejtë demokratike, por nuk duhet të shndërrohet në mjet shkatërrimi dhe rrezikimi të jetës së qytetarëve. Sipas tij, pakënaqësitë politike dhe shoqërore duhet të adresohen përmes dialogut, institucioneve dhe përgjegjësisë. Në reagimin e tij, Zholi ka shprehur edhe vizionin për Shqipërinë që dëshiron të shohë: një vend me drejtësi të pavarur, institucione të besueshme, pa korrupsion, nepotizëm dhe standarde të dyfishta, ku puna shpërblehet me dinjitet dhe qytetarët trajtohen në mënyrë të barabartë para ligjit. Ai ka vënë theksin te nevoja për përmirësimin e kushteve të jetesës së pensionistëve, krijimin e mundësive për të rinjtë dhe ndërtimin e një të ardhmeje që nuk i detyron qytetarët të largohen nga vendi  “Më shumë dialog, më pak urrejtje! Më shumë drejtësi, më pak korrupsion! Më shumë përgjegjësi, zero dhunë!”, ka përfunduar reagimin e tij Albert Zholi.

Kontrolloni gjithashtu

OKB-ja rikthen Kosovën në tryezën e debatit, por marrëveshjet me Serbinë mbeten pa zbatim të plotë

Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara mban sot mbledhjen për situatën në …