Gjashtë vjet pa poetin, publicistin e intelektualin Ramadan Musliu

Në gjashtëvjetorin e ndarjes nga jeta të poetit, publicistit dhe kritikut letrar Ramadan Musliu, kujtojmë me respekt jetën, veprën dhe kontributin e tij të çmuar në letërsinë shqipe, në kulturën shqiptare dhe në jetën publike e politike të vendit.

Ramadan Musliu ishte një nga emrat e vlerësuar të letërsisë dhe mendimit kritik shqiptar. Me krijimtarinë poetike, studimet letrare dhe publicistikën e tij, ai la gjurmë të rëndësishme në kulturën tonë, duke dëshmuar përkushtim ndaj fjalës së shkruar, mendimit kritik dhe vlerave kombëtare.

Për Vitinë, Kosovën dhe mbarë trevat shqiptare, Ramadan Musliu mbetet një figurë e veçantë e jetës kulturore dhe publike. Përveç kontributit të tij në letërsi, ai ishte pjesë e rëndësishme e veprimtarisë politike të vendit gjatë viteve të okupimit. Si kryetari i parë i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti, ai dha kontributin e tij në organizimin politik të kohës, në rrethana të vështira për qytetarët dhe vendin tone. Në vitin 1997, në Tiranë, botoi librin publicistik “Vetëripërtëritja e totalitarizmit. Vetë tema e veprës tregon se interesimi i tij intelektual nuk kufizohej te letërsia, por shtrihej edhe te politika, ideologjia dhe mënyra se si funksionojnë sistemet shoqërore. Angazhimi i tij në gazetën Rilindja, në politikën e viteve të nëntëdhjeta dhe më pas në institucionet e Kosovës duke qenë edhe deputet I Parlamentit të Kosovës në periudhën 2004-2007,e vendos atë ndër intelektualët që nuk qëndruan vetëm në botën e ideve, por u përfshinë drejtpërdrejt në jetën publike të vendit.

Edhe pse kanë kaluar gjashtë vjet nga ndarja e tij fizike nga jeta, Ramadan Musliu vazhdon të jetë i pranishëm përmes librave, studimeve dhe kujtesës së njerëzve që e njohën, bashkëpunuan me të dhe e vlerësuan kontributin e tij. Vepra e tij mbetet pjesë e trashëgimisë sonë kulturore dhe dëshmi e fuqisë së fjalës që i tejkalon kufijtë e kohës.

Në këtë përvjetor, shprehim respektin tonë për jetën dhe veprën e Ramadan Musliut, duke vlerësuar kontributin e tij të çmuar për letërsinë shqipe, për Vitinë dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi.

Sokol Haliti

Kryetar i Komunës së Vitisë

Kontrolloni gjithashtu

Njoftim Publik për Draft Statutin e Komunës së Rahovecit

Komuna e Rahovecit njofton qytetarët se nga 21 tetor deri më 20 nëntor 2026 do …