Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka bërë të ditur se dialogu strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës mund të rifillojë kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve lokalë. Një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka rikujtuar se ky dialog ishte pezulluar për një kohë të pacaktuar në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e qeverisë së atëhershme në detyrë. “Shtetet e Bashkuara e pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA–Kosovë në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës. Më tej, SHBA-ja ka theksuar se mbetet e përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të saj dhe të popullit të Kosovës. Megjithatë, rifillimi i dialogut strategjik lidhet me krijimin e kushteve të duhura, ku si një nga elementet kryesore përmendet përmbushja e zotimeve të Kosovës në raport me komunitetin serb. “Presim që të zhvillojmë dialog strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Ambasadës amerikane.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
