E bukura, e ëmbla Rinesë, të njoha që kur ishe fëmijë. Që atëherë, kishe brenda vetes një botë të veçantë, një univers tëndin të krijimit, të lojës, të ëndrrave dhe të meditimit. Kishe atë dritën e rrallë që të dallonte, atë ndjeshmëri që e bënte botën tënde të veçantë dhe atë shpirt krijues që premtonte shumë për jetën e artin.
U rrite, krijove, i dhe muzikës dhe brezit tënd shumë nga shpirti, talenti dhe përkushtimi Yt. Përmes artit, le gjurmë që nuk i fshin koha. Vepra jote u bë pjesë e kujtesës, e ndjenjave dhe e jetës së atyre që patën fatin të njohin, të dëgjojnë e të përjetojnë botën tënde krijuese.
Sa e padrejtë qenka jeta, kur njerëzit me aq shumë dritë i merr kaq herët! Jeta jote qenka shkruar të jetë e shkurtër, por vepra jote do të jetë e gjatë sa kujtesa njerëzore. Sepse njeriu nuk matet vetëm me vitet që jeton, por edhe me dashurinë që lë pas, me gjurmët që mbeten dhe me shpirtin që vazhdon të jetojë në krijimet e tij.
Sëmundja mizore, e pamëshirshme ndaj Teje, u përpoq të ta ndërpriste rrugëtimin, por nuk mund ta shuajë dritën që le pas. Ajo nuk mund t’i marrë tingujt, kujtesën buzëqeshjen tënde dhe zemrave të njerëzve dashurinë për Ty. Do të mbetesh gjithmonë ajo Rinesa e ëmbël, vajza me botën e saj të veçantë, krijuesja që i dha artit dhe brezit të vet.
Sot, me dhimbje të thellë e me zemër të pikëlluar, në emër të stafit të Radios Kosova e Lirë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjeve Qeriqi dhe Pajaziti, të afërmve, miqve dhe të gjithë atyre që të deshën e që sot ndajnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë.
Në këto çaste kur fjalët bëhen të vogla përballë dhimbjes, na mbetet kujtimi, na mbetet dashuria dhe mirënjohja për gjithçka që ishe dhe gjithçka që na le.
Pushofsh në parajsën e amshuar, e bukura Rinesë! U prehsh në paqen e përjetshme, atje ku nuk ka më dhimbje e vuajtje, por vetëm dritë e amshim. Emri yt do të jetojë në kujtesën e njerëzve, ndërsa krijimet e tua do të vazhdojnë të flasin edhe atëherë kur zëri yt të na mungojë më së shumti.
Lamtumirë, Rinesë e dashur! E shkurtër ishte jeta jote, por e pashlyeshme do të jetë gjurma jote. 🕊️