Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar kthimin në Kuvend të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se kjo nismë nuk i ka sjellë Kosovës përfitime në aspektin taktik, strategjik apo ligjor. Në një konferencë për media, Gjini ka bërë të ditur se AAK-ja ka qenë kundër kthimit të ligjit për rishqyrtim, ndërsa ka kërkuar që debati publik të mos kufizohet vetëm te kjo çështje. Sipas tij, vëmendja duhet të përqendrohet edhe te problemet ekonomike, institucionale dhe politike që po ndikojnë në jetën e qytetarëve dhe funksionimin e shtetit. “Ne nuk mendojmë që Kosova ka fituar diçka as taktikisht, as strategjikisht, as legalisht”, ka deklaruar Gjini, duke paralajmëruar se partia e tij do të bëjë të ditura edhe vendimet e tjera lidhur me zhvillimet politike. Ai e ka cilësuar Ligjin për Dhomat e Specializuara si çështje me rëndësi për Kosovën dhe të ardhmen e saj, por ka kundërshtuar që kjo temë të shërbejë si arsye për të lënë në hije problemet e tjera të vendit. Gjini ka drejtuar kritika edhe ndaj qeverisë, duke pretenduar se përqendrimi i debatit te Gjykata Speciale po i krijon asaj hapësirë për t’iu shmangur ballafaqimit me çështje të tjera. Ai ka përmendur korrupsionin dhe atë që e ka cilësuar si sistem kleptokratik, për të cilin ka thënë se po mbulohet nga debati aktual politik. “Përderisa të gjithë ne merremi veç me një temë, qeveria po ndihet shumë komode”, ka deklaruar ai. Sipas Gjinit, Kosova shpenzon rreth 260 milionë euro në vit për blerjen e energjisë elektrike, ndërsa ambasada e saj në Uashington, sipas tij, nuk i ka mjetet e mjaftueshme as për shpenzime elementare të përfaqësimit diplomatik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
